Koment - Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe tensioni me Rusinë

Me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, Rusia me Serbinë nuk do të ndërhyjnë dot më si deri më tani në punët e brendshme të Podgoricës dhe Deti Adriatik ka kaluar i gjithi në kontrollin e Aleancës.

Karadağ_NATO.jpg
karadağ nato üyeliği.jpg
Dushko Markoviç_Karadağ bağımsızlık 11.yıldönümü_2.jpg
Karadağ Meclisi_NATO.jpg
karadağ nato.jpg
trump nato karadağ.jpg

Mali i Zi, vendi i vogël i Ballkanit me një popullsi prej rreth 645 mijë banorë, më 21 maj 2006 përjetoi një moment historik. Pas 88 viteve bashkëjetesë me Serbinë, Mali i Zi arriti të bëhet përsëri i pavarur në bazë të rezultatit që doli nga referendumi popullor, që u mbajt në këtë datë. 11 vjet pas rinovimit të pavarësisë, më 5 qershor 2017, Mali i Zi u pranua si anëtar i NATO-s. Mbajtja e derës së NATO-s hapur edhe për vendet e tjera të Ballkanit është mjaft e rëndësishme në aspektin e stabilitetit të qëndrueshëm në rajon. Vetëm se Mali i Zi u bë anëtar i një aleance të fortë, siç është NATO, në një kohë kur ndërmjet qeverisë dhe opozitës kishte një krizë të thellë politike. Për më tepër, procesi i aderimit të Malit të Zi në NATO u shoqërua edhe nga fërkimet e këtij vendi me Rusinë.

Sipas kryeministrit malazez Dushko Markoviç, anëtarësimi në NATO do të sjellë stabilitet më të fortë dhe prosperitet më të madh ekonomik në Malin e Zi. Për më tepër, kjo do të sigurojë që vlerat euroatlantike të përvetësohen në mënyrë të përhershme nga shoqëria. Organizatat joqeveritare në Malin e Zi shpresojnë se anëtarësimi në NATO do të japë një kontribut pozitiv në forcimin e shtetit ligjor. Madje ka edhe nga ata që mendojnë se falë anëtarësimit në NATO, vende të tilla si Rusia dhe Serbia nuk do të jenë më në gjendje të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Malit të Zi dhe se demarkacioni i kufirit me Kosovën, çështje që ka disa muaj që është në agjendën e të dy vendeve, mund të zgjidhet më lehtë.

Përveç përfitimeve diskutohet edhe mbi barrën që do ti sjellë vendit anëtarësimi në NATO. Para së gjithash, theksohet se Mali i Zi do të duhet të rrisë shpenzimet e mbrojtjes dhe se do të duhet të ndajë për këtë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së). Gjithashtu, bëhet e ditur se tani Mali i Zi do të duhet të përfshihet në mënyrë më aktive në misionet e NATO-s. Ata që u mëshojnë skenarëve pesimistë tërheqin vëmendjen se për shkak të anëtarësimit në NATO, sulme terroriste, të ngjashme me ato që vihen re në vendet perëndimore, këtej e tutje mund të ndodhin edhe në Malin e Zi.

 

Ata që paraqesin skenarin pesimist janë në fakt qarqet e opozitës të Malit të Zi. Një pjesë e rëndësishme e opozitës, e cila nuk donte ta shihte vendin brenda në NATO, për shkak të bojkotimit të pjesëmarrjes në punimet e parlamentit të Malit të Zi që nga tetori i kaluar, nuk mori pjesë as në votimin që u zhvillua në parlament për anëtarësimin e vendit në NATO. Për këtë arsye, në seancën plenare të mbajtur më 28 prill 2017, vetëm 46 nga 81 deputetë miratuan anëtarësimin në NATO. Udhëheqësit e Frontit Demokratik të opozitës e shpallën si të pavlefshëm vendimin për të hyrë në NATO si dhe njoftuan se kur të vijnë në pushtet do të punojnë për anulimin e anëtarësisë së Malit të Zi në NATO.

 

Qeveria thotë se Fronti Demokratik po punon sipas orientimeve të Rusisë dhe mbështetet nga qarqe radikale nacionaliste në Serbi. Për një kohë të gjatë Rusia ka qenë një ndër investitorët më të rëndësishëm në Malin e Zi. Turistët rusë i kalonin me kënaqësi pushimet në bregdetin e Malit të Zi. Që nga momenti i pranimit të Malit të Zi në NATO mosmarrëveshjet mes Podgoricës dhe Moskës u bënë edhe më të dukshme. Sapo Mali i Zi u ftua në vitin 2015 për t’iu bashkuar aleancës së NATO-s, Moska filloi të ndjekë një fushatë negative kundër këtij vendi. Deklaratat e autoriteteve ruse herë pas here e kapërcyen stilin diplomatik dhe hynë në atmosferën kërcënuese dhe i dhanë mbështetje të hapur opozitës malazeze, e cila kundërshtonte anëtarësimin e vendit në NATO. Akuzat reciproke shkuan aq larg sa që Podgorica pretendonte se Rusia ishte e përfshirë në tentativën për grusht shteti më 16 tetor 2016. Por Moska e ka mohuar një pretendim të tillë.

Në një njoftim të postuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë më 5 qershor 2017 thuhet se Podgorica ka zhvilluar kundër Rusisë një fushatë shpifëse dhe të shtrembërimit të informacionit në procesin që çoi anëtarësimin e vendit në NATO. Deklarata e cilëson si jo-miqësor këtë qëndrim të Malit të Zi, ndërsa thotë se në bazë të parimit të reciprocitetit Rusia rezervon të drejtën e kundërpërgjigjes.

 

Duket qartë se për shkak të anëtarësimit në NATO, Moska ka filluar të nxjerrë pengesa për importet nga Mali i Zi dhe po përpiqet të shmangë qytetarët rusë që të kalojnë pushimet në Malin e Zi. Përveç kësaj, thuhet se anëtarët e qeverisë malazeze dhe të gjithë deputetët që mbështetën anëtarësimin në NATO janë përfshirë në listën e zezë të Rusisë.

NATO ka vite që ka hyrë në Ballkan. Nga ana tjetër, është e pajustifikueshme të mendosh se një vend si Mali i Zi, i vogël dhe gjeografikisht shumë larg nga Rusia, do të kërcënonte sigurinë e një Rusie gjigante për shkak të anëtarësimit në NATO. Por ajo që e shqetëson në të vërtetë Rusinë nuk është Mali i Zi, por aleanca e NATO-s. Rusët nuk e fshehin, ata e thonë hapur që e shikojnë NATO-n si një kërcënim për veten e tyre. Për këtë arsye, duke nxjerrë në plan të parë vëllazërinë historike sllave dhe ortodokse, Rusia ka hyrë përsëri në rivalitet me Perëndim në Ballkan. Kohët e fundit, vendet perëndimore janë të shqetësuara në mënyrë të qartë nga ndikimi në rritje i Rusisë në Ballkan. Besohet se për këtë arsye është përshpejtuar edhe procesi i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe se bota perëndimore i ka dërguar kështu tërthorazi një mesazh Rusisë.

Në vitin 2013 Rusia e shprehu dëshirën e saj për të përdorur portet e Malit të Zi për forcat e saj detare, ndërsa Podgorica i tha jo kësaj kërkese të Moskës. Me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO i gjithë bregu i Detit Adriatik ka hyrë në kontrollin e NATO-s. Si rrjedhim nuk ka pothuajse asnjë mundësi që Rusia të ketë ndikim dhe të bëhet aktive në Detin Adriatik.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ



Lajme të ngjashme