Shqipëri – Edi Rama: Reforma në administratë është domosdoshmëri

Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh të martën në mbrëmje, në emisionin televiziv “Tonight Ilva Tare” të kanalit “Ora News”, se reforma në administratë është domosdoshmëri...

757171
Shqipëri – Edi Rama: Reforma në administratë është domosdoshmëri

Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh të martën në mbrëmje, në emisionin televiziv “Tonight Ilva Tare” të kanalit “Ora News”, se reforma në administratë është domosdoshmëri me qëllim që t'u shërbejë qytetarëve me një standart të ri.

I pyetur për padinë në Prokurori të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Edi Rama tha: “I kam mbyllur veshët, sepse ndihem shumë i sëkëlldisur kur shoh aleatët tanë që janë lëshuar jashtë shinave.”

Rama u shpreh gjithashtu për apelin drejtuar policisë për mbledhjen e votave se kishte kërkuar ndjesë dhe se “koka e falur nuk pritet”.

Ndërsa mbi tensionet me LSI-në dhe incidentet në fushate, Rama tha: “Nuk kemi asnjë situatë konfliktuale ne. Ne jemi në rrugën tonë, po kërkojmë të bashkojmë shqiptarët për një proces, që në këndvështrimin tim është me një rëndësi historike. Më 25 qershor, shqiptarët nuk do vendosin si zakonisht kush do fitojë e kush do humbasë, kush do qeverisë e kush do jetë në opozitë, por do të vendosin si do jetë Shqipëria pas 10-15 vitesh. Themelet, që kemi ngritur me reformat, ose do të shërbejnë për të ngritur shtetin shqiptar ose do prishen prapë si Kalaja e Rozafës. Unë kam folur për reforma, domosdoshmërinë e një reformimi të thellë të administatës shtetërore, ndarjen e partive të pushtetit nga shteti dhe nuk kam pasur asnjë gjë personale apo asnjë gjë që ka të bëjë me qëllimet e një gare. Nuk jam në këtë qasje për të marrë ca pikë duke goditur të tjerë.”

Unë jam në këtë qasje - u shpreh kreu i Tiranës zyrtare - për t'u thënë shqiptarëve troç që nëse doni një administratë shtetërore që të jetë në shërbimin tuaj dhe nëse doni që hipotekat, patentat, licencat, certifikatat, gjobat, agjencitë, inspektoriatet e me rradhë të mos jenë një barrë për ju më ndihmoni, përndryshe unë dhe PS-ja nuk e zgjidhim dot vetëm, nëse ju na lini në një pozicion, që na duhen numrat e të tjerëve për të bërë qeveri.

I pyetur për bashkëpunimin me LSI-së, Kryeministri Rama u përgjigj me këto fjalë: “Në aspektin politik besoj se kapitulli është i mbyllur dhe besoj që gjithë shqiptarët dhe ata që kanë votuar LSI-së apo e votojnë duhet ta kuptojnë që nuk ka shans që pas 25 qershorit koalicioni të rilindë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Dhe, mbi të gjitha, duhet të kuptojnë që ne jemi shumë të vendosur që, nëse shqiptarët do na japin mandatin, do ta shkallmojmë komplet sistemin kanceroz të kapjes së administratës shtetërore nga partitë dhe këtu kam parasysh një gjë shumë të thjeshtë.”



Lajme të ngjashme