Kosovë – Numërohen 99,88% e votave, asnjë subjekt politik s'mund ta formojë vetëm qeverinë

Sipas rezultateve paraprake të 99,88% të votave të numëruara deri mëngjesin e të martës nga KQZ për zgjedhjet e parakohshme parlametare të 11 qershorit në Kosovë, asnjë subjekt politik s'mund ta formojë vetëm qeverinë...

Kosovë – Numërohen 99,88% e votave, asnjë subjekt politik s'mund ta formojë vetëm qeverinë

Në zgjedhjet e parakohshme parlametare të së dielës së 11 qershorit në Kosovë, sipas rezultateve paraprake të 99,88% të votave të numëruara deri mëngjesin e të martës nga KQZ, koalicioni PAN ka 33,98% të votave, Lëvizja Vetëvendosje 27,12%, ndërsa koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, ku në listë përfshiheshin edhe kandidatët për deputë të subjektit politik më të ri drejt regjistrimit si parti – Alternativa e Lëvizjes për Drejtësi, ka 25,74% të votave.

Nga subjektet e komuniteteve pakicë, më shumë vota ka Iniciativa Qytetare Lista Serbe (Građanska Inicijativa Srpska Lista), e cila ka fituar 5,90%.

Sipas rezultateve paraprake, shtypi në Kosovë parashikon se koalicioni i PDK-së mund të ketë 39 deputetë, VV-ja 31 dhe koalicioni i LDK 30. Këta numra nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme me votat e Kuvendit 120 anëtarësh edhe nëse do të kenë mbështetjen e të 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, 10 të serbëve e 10 të tjerëve. Ka parashikime të ndryshme sesi koalicionet mund të bashkohen për të formuar qeverinë e re të Kosovës me koalicione paszgjedhore dhe pikëpyetje se a do mund të formohet qeveria.

Para një muaji, në 10 maj 2017,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash të mocionit të mosbesimit për qeverinë e zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve. Mocioni i opozitës u votua pro edhe nga partia më e madhe e koalicionit qeverisës, PDK.

Sipas të dhënave më të fundit nga KQZ,  numri i fletëvotimeve të pavlefshme është i madh, 52 mijë e 522. Ndërsa numri i fletëvotimeve të vlefshme është 696 mijë e 684.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë pranverë, Kosova këtë vit në vjeshtë mban edhe zgjedhje lokale në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.



Lajme të ngjashme