Zyrtarë të lartë të Kosovës shprehin ngushëllimet për sulmin terrorist në Londër

Zyrtarë të lartë të Kosovës shprehën sot ngushëllimet për 7 viktimat që humbën jetën dhe 48 të tjerë që u plagosën pas një atentati të dyfishtë të shtunën në mbrëmje në qendër të Londrës.

745441
Zyrtarë të lartë të Kosovës shprehin ngushëllimet për sulmin terrorist në Londër

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka ngushëlluar familjarët e viktimave të sulmit në Londër.

Përmes një postimi në Twitter, Veseli shkruan se “sulmi i Londrës do të thotë që ne të gjithë jemi sulmuar. Ngushëllime familjeve të viktimave dhe njerëzve të Mbretërisë së Bashkuar. #Kosova qëndron në mënyrë të vendosur përkrah aleatëve tanë”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, duke shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin e popullit dhe qeverisë së Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar, pas sulmeve të mbrëmshme terroriste në Londër thekson se “Mbretëria e Bashkuar është djep i lirisë dhe demokracisë, vlera të cilat nuk mund të cenohen nga askush. Populli dhe Qeveria e Kosovës janë me ju!”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Mustafa drejtuar kryeministres britanike, Theresa May.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një postim në Facebook shprehet se “jam thellësisht i prekur nga sulmet makabre në Londër dhe me humbjen e jetëve të njerëzve të pafajshëm. Lutjet tona sot janë me familjet e viktimave dhe popullin britanik. Asnjëherë nuk duhet dhe nuk do të dorëzohemi para akteve të tilla. Rreshtohemi me aleatët tanë në luftën e pakompromis kundër terrorizmit”.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka dënuar ngjarjet e mbrëmshme në Londër duke shprehur pikëllimin e thellë.

“Thellësisht i pikëlluar nga ngjarjet e tmerrshme në Londër. Ngushëllime miqve dhe familjeve të viktimave. Kosova qëndron pranë popullit dhe qeverisë britanike”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Të paktën shtatë persona humbën jetën dhe 48 të tjerë u plagosën pas një atentati të dyfishtë dje në mbrëmje në qendër të Londrës.



Lajme të ngjashme