Eliot Engel: Brukseli të frenojë anëtarësimin e Serbisë, s’përballet me krimet e luftës

Mungesa e vullnetit të Beogradit për t’u përballur me krimet e së kaluarës është arsye për të ngadalësuar procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE, ka deklaruar ligjvënësi amerikan, Eliot Engel...

Eliot Engel: Brukseli të frenojë anëtarësimin e Serbisë, s’përballet me krimet e luftës

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, e dënoi ashpër qëndrimin e autoriteteve të Beogradit, që nuk i lejuan hyrjen në Serbi ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kjo e fundit duhet të merrte pjesë në festivalin “Mirëdita. Dobardan”, i cili, si për ironi, synon pikërisht nxitjen e dialogut dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë.

Ish-kryetarja e shtetit të Kosovës do të fliste në Beograd mbi një libër me dëshmi të grave të nënshtruara torturave dhe përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë. I indinjuar, Engel i shkroi shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke theksuar se mungesa e vullnetit të Beogradit për t’u përballur me krimet e së kaluarës është arsye për të ngadalësuar procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.

“Për këtë vend ballkanik, shmangia e diskutimit dhe pranimit të përgjegjësisë për krimet e luftës paraqet një problem tejet serioz”, thotë Engel.

Nëse ai nuk zgjidhet, shton ai, mund të përballemi me një përsëritje të sjelljeve të së shkuarës.

“Sinqerisht, Beogradi thjesht nuk është i gatshëm të bashkohet me komunitetin e demokracive të BE-së, nëse nuk e pranon plotësisht të kaluarën dhe nëse nuk merr përgjegjësinë për krimet e luftës”, shkroi ligjvënësi amerikan, i cili përcjell njëkohësisht në letrën e tij respektin e thellë për punën e BE-së në nxitjen e dialogut, mirëkuptimin dhe normalizimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Por veprimi i qeverisë serbe e ka shqetësuar shumë, sepse kjo, siç sqaron Engel, nxjerr në pah ngërçin akoma më të madh të shmangies së diskutimeve dhe të pranimit të fakteve mbi luftën e Kosovës. Kaq i mjafton atij për t’i kërkuar bllokut evropian që në këtë pikë të shqyrtohet seriozisht pezullimi i procesit të anëtarësimit të Serbisë.



Lajme të ngjashme