Shqipëri - Parlamenti miraton ndryshimet e qeverisë

Ndërsa ka mbetur rreth një muaj nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare Kuvendi i Shqipërisë ka votuar ndryshimet në qeveri në një seance të jashtëzakonshme.

Adriatik Llalla_Mehmet Akarca.jpg
Arnavutluk_Balkanlar-da Türkçe Öğretimi Kongresi2.jpg
Mehmet Akarca_Bashkim Dedja.jpg
Mehmet Akarca_Xhezair Zaganjori.jpg
TIKA_Arnavutluk Tiran Üniversitesi Yabancı Diller Fakültesine yardım2.jpg
Arnavutluk_sosyalist dönemi_Spaç_Hapishanesi_02.jpg

-Parlamenti shqiptar miraton ndryshimet e qeverisë

Kuvendi është mbledhur pasditen e të hënës për të miratuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit dhe të 6 ministrave dhe zëvendësimin e tyre me teknicienë, të propozuar nga Partia Demokratike (PD), në zbatim të marrëveshjes së arritur më 18 maj, mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Tri partitë kryesore në vend, Partia Socialiste (PS), Partia Demokratike (PD) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) kanë bashkuar votat e tyre për të emëruar ndryshimet në kabinetin qeveritar.

Zv/kryeministrja dhe 6 ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike kanë marrë shumicën e votave në Parlament (mbi 100 vota pro), emërimet që vijnë rreth një muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme Parlamentare. Miratimet nga parlamenti shqiptar janë si vijon:

– Zëvendëskryeministër, Ledina Mandija
– Ministër i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj
– Ministër i Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabino
– Ministër i Shëndetësisë, Arben Beqiri
– Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhulieta Kërtusha
– Ministër i Financave, Helga Vukaj
– Ministër i Drejtësisë, Gazmend Bardhi

***

-Mogherini dhe Hahn përshëndesin marrëveshjen

Me anë të një deklarate për shtyp, Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Johannes Hahn, kanë “përgëzuar partitë politike shqiptare për marrëveshjen e arritur, që do të bëjë të mundur mbajtjen e zgjedhjeve në datën 25 qershor”.
“Përgëzojmë partitë politike në Shqipëri për marrëveshjen e arritur, që do të çojë në mbajtjen e zgjedhjeve në 25 qershor 2017 me pjesëmarrjen e të gjitha partive. Udhëheqësit politikë u janë përgjigjur pritshmërive të qytetarëve të tyre dhe treguan pjekuri demokratike”, lexohet në deklaratë.
“Ky ishte një hap i parë thelbësor. Tani, kjo marrëveshje duhet të implementohet për të përgatitur zgjedhje me standarde ndërkombëtare. Duke qenë se vota në Parlament për ngritjen e organeve të Vetting-ut është pjesë e marrëveshjes, ne përsërisim rëndësinë e një implementimi solid dhe të besueshëm të procesit të Vetting-ut, që është kyç për progresin drejt anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë dhe aspiratat legjitime të popullit të saj për një të ardhme më të mirë”, shtohet në deklaratën e përbashkët të Mogherini dhe Hahn.

***

-Shqipëria është pranë Turqisë në luftën kundër FETÖ-s 

Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Turqisë, Mehmet Akarca gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri është takuar të hënën me kryetarin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Xhezair Zaganjori, dhe kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja

Në këtë takim Zaganjori vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm të autoriteteve shqiptare të drejtësisë me ato turke në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe krimit kibernetik, etj.

Gjatë ditës së diel, Akarca, është takuar me prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla, ku kryeprokurori turk ka kërkuar bashkëpunimin e Shqipërisë për hetimin e disa prej personave të përfshirë në tentativën për grusht shteti vitin e kaluar në Turqi, organizuar nga organizata terroriste FETÖ.

Akarca kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare për hetimin e disa prej personave të përfshirë në ngjarjet e15 korrikut 2016 në Turqi, për të cilët institucionet ligjzbatuese turke kanë dyshime se strehohen në Shqipëri. Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë i sugjeroi homologut të tij turk mundësinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje dypalëshe, e cila do t’i shërbejë shkëmbimit në kohë reale të të dhënave hetimore për çështje me interes të përbashkët. Gjatë takimi, prokurori i Përgjithshëm i Turqisë, Akarca, i konsideroi shumë të rëndësishme raportet me autoritetet shqiptare dhe garantoi se kjo frymë bashkëpunimi do të vijojë të forcohet edhe në të ardhmen.

Gjithashtu theksohet se Akarca foli për nevojën e forcimit të bashkëpunimit rajonal e më gjerë, sipas tij, nisur nga rreziku i përhapjes së terrorizmit në Ballkan e në Evropë

***

-Tiranë, kongres shkencor për gjuhën turke në rajonin e Ballkanit

Kongresi shkencor me temë “E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e mësimit të turqishtes në Ballkan”, ka mbledhur së bashkë në Tiranë, studiues, profesorë të turqishtes, përfaqësues të universiteteve nga Shqipëria, Turqia dhe më gjerë, dhe studentë të interesuar për turqishten.

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës dhe Departamenti i Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike pranë këtij fakulteti, Universiteti “Sarkarya” dhe Universiteti “Medeniyet” të Turqisë, organizuan në bashkëpunim kongresin e 3-të ndërkombëtar për mësimin e turqishtes në Ballkan si një gjuhë e huaj.

Dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr Artur Sula, në fjalën e tij përshëndetëse, tha se kjo konferencë (kongres), ka një rëndësi të veçantë sepse po organizohet për herë parë në Shqipëri për gjuhën turke si gjuhë e huaj.

"Kjo gjuhë (gjuha turke) është bërë shumë e afërt për shqiptarët, që sa vjen e bëhet më e qenësishme në Shqipëri, si nga mediat, aktivitetet ekonomike, etj. Fakulteti jonë do fillojë të përgatisë edhe mësues të gjuhës turke dhe këtë do ta realizojmë më mirë dhe në mënyrë cilësore nga bashkëpunimi me universitetet turke", theksoi Sula.

Ndërsa zëvendësrektori i Universitetit të Sakarya-s, Prof.Dr Musa Eken, theksoi se "Kemi 3200 studentë mysafirë. Ne i quajmë studentët e huaj mysafirë, ku një pjesë e tyre janë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Universiteti ynë ka 80 mijë studentë dhe për nga numri është një universitet i madh dhe kemi 18 fakultete. Kemi hapur jo vetëm dyert tona, por edhe zemrën tonë."

Në ceremoninë e hapjes së kongresit shkencor për gjuhën turke në Ballkan foli edhe këshilltari dhe anëtari i bordit ekzekutiv të Fondacionit turk “Maarif”, Ahmet Türkben. Ai është ndaluar në punën e këtij fondacioni në botë, veçanërisht në Ballkan për ngritjen dhe ofrimin e procesit mësimor, organizatën terroriste FETO, etj. Lidhur me FETO-n, ai ka theksuar se në vendet që kanë vizituar kanë shpjeguar veprimtarinë e organizatës terroriste FETO.

Seancat e kongresit dyditor u fokusuan në disa fusha si në didaktikë, linguistikë, sociolinguistikë, multikulturakizmi, dygjuhësia, etj. Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, që mbështeten këtë kongres shkencor. 

***

-TIKA ofron ndihmë për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë

Është organizuar para pak ditëve në Tiranë ceremonia e inaugurimit të sallës së konferencave dhe bibliotekës së rikonstruktuar të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, ku ndodhet edhe dega e gjuhës turke, realizuar me ndihmën e Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA).

Në këtë ceremoni merrnin pjesë ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Eyüp Yavuz Ümütlü, drejtues të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, studentë, profesorë, etj.

Në fjalën e saj ministrja Nikolla tha se ambientet e rikonstruktuara nga TIKA do të kontribuojnë për të gjithë studentët e këtij fakulteti.

"Arsimi është politika më e mirë për zhvillimin e vendit. Falënderoj agjencinë TIKA për këtë ndihmë të vyer, për mundësitë e reja që janë krijuar jo vetëm për studentët që studiojnë gjuhën turke, por do të jenë të hapura edhe për studentë të tjerë. Në ditët në vijim do kemi një event tjetër promovues për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në Turqi, pasi Qeveria e Turqisë ofron bursa për studentët që Ministria e Arsimit i gjykon që janë prioritet dhe me interes", u shpreh Nikolla.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, theksoi se me kontributin e TIKA-s, salla e konferencave dhe biblioteka e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, do të kenë ambiente moderne për të gjithë studentët.

Ai u shpreh ndër të tjera se "Ndër fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit që kemi aktualisht me Shqipërisë është arsimi dhe kultura. Marrëdhëniet tona në këto fusha, na motivojnë të bëjmë më shumë në të ardhmen. Instituti “Yunus Emre” si në Tiranë dhe Shkodër, si dhe dega e gjuhës turke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja ju mësojnë gjuhën turke vëllezërve tanë shqiptarë".

Koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Eyüp Yavuz Ümütlü, u shpreh se "Ne si TIKA tek të gjitha projektet që realizojmë dëshirojmë të japim një masazh. Principi primar i këtyre mesazheve është dhënia e dorës së miqësisë nga ana e Turqisë. Çdo vit vendi ynë ofron bursa universitare për studentët shqiptarë", tha ndër të tjera Ümütlü.

Projekti i realizuar nga TIKA në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë konsiston në rikonstruksionin e sallës së konferencave dhe pajisjen e saj me bazën materiale, mobilie dhe karrige, si dhe rikonstruksionin e ambienteve të bibliotekës. 

***

-Shqipëri–Turqi forcojnë bashkëpunimin në sistemin bankar

Shqipëria dhe Turqia synojnë të forcojnë bashkëpunimin midis dy vendeve, në fushën bankare.

Me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloji të hënën një vizitë zyrtare në Bankën e Shqipërisë në Tiranë, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, Murat Çetinkaya.

Në një njoftim për shtyp BSH-ja bën të ditur se, gjatë kësaj vizite, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë Murat Çetinkaya nënshkruan në selinë e BSH-së, një Memorandum Bashkëpunimi midis dy bankave qendrore, me qëllim forcimin bankar mes dy vendeve.

***

-KLSH dhe Gjykata Turke e Llogarive do të rrisin bashkëpunimin

Një delegacion i nivelit të lartë nga Gjykata Turke e Llogarive (TCA) zhvilloi një vizitë në zyrat e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Delegacionit kryesohej nga Zv/Presidenti i TCA-së z. Fikri Özkök. 

Kjo vizitë vjen në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit midis KLSH-së dhe TCA si dhe në vigjiljen e zhvillimit të Kongresit të EUROSAI-t në Stamboll, më datën 22-25 maj, një ngjarje që do të shënojë marrjen e presidencës nga Turqia të Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit.

Delegacioni u prit nga kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, i cili e konsideroi këtë vizitë si një dëshmi të marrëdhënieve të ngushta që ekzistojnë mes dy institucioneve. “KLSH ka një vlerësim të veçantë për Gjykatën Turke të Llogarive, si një nga SAI-et partnere që përgjatë viteve 2012-2015 ka dhënë një kontribut spikatës dhe me peshë për modernizmin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, u shpreh Leskaj.

Nga ana e tij, zv/presidenti i Gjykatës Turke të Llogarive, Fikri Özkök theksoi se marrëdhëniet midis dy institucioneve janë afirmuar si histori sukses, ndërsa shprehu vullnetin për ta zhvilluar në dimensione të reja këtë bashkëpunim.

Kongresi i EUROSAI-t do të jetë edhe pikëtakimi i veçantë për të diskutuar më hollësisht thellimin e marrëdhënieve mes dy institucioneve.

Delegacioni i Gjykatës Turke të Llogarive vizitoi edhe mini-muzeun e KLSH-së në të cilin gjendet një stendë e veçantë që i dedikohet marrëdhënieve midis dy institucioneve.

***

-44 vjet nga revolta e Spaçit 

Ish të burgosurit politik dhe të afërm të tyre gjetën burgun famëkeq të Spaçit, në gërmadha ndërsa përkujtuan 44 vjetorin e revoltës antikomuniste. Ata u rikthyen në vendin e dënimit për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore të organizuara me këtë rast ku të pranishëm ishin përfaqësues të pushtetit lokal dhe të komuniteteve fetare. Sipas tyre, edhe pas 26 vjetësh demokraci, nuk ndjehen të vlerësuar nga shteti.Ish të burgosurit politik shprehen kështu për median:

“...Qeveritë na kanë lënë mbas dore dhe na kanë përdorur vetëm për fushata, për interesin e tyre.”

Edhe ky përvjetor e ka gjetur ish-burgun e Spaçit në gjendje shkatërrimi, kështu që apeli për ta kthyer atë në muze vazhdon sërisht. 

Përfaqësuesi i Qendrës "Drejtësi dhe Paqe", Luigj Milla u bën thirrje autoriteteve përkatëse që të vlerësojnë këtë muze të vërtetë:

“I bëj thirrje të gjitha organeve shtetërore që ta vlerësojnë faktin që këtu kemi tashmë një pjesë të burgut të Spaçit, sepse një pjesë e tij është shkatërruar dhe mendojnë për kthimin e tij në një muze të vërtetë.”

Vlen të përmendet se më 21 maj të vitit 1973 të burgosurit politik të Spaçit u ngritën në një revoltë antikomuniste që përfundoi pas disa ditësh me pushkatimin e disa prej të dënuarve.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme