Koment - Dilema e Brukselit për Ballkanin Perëndimor

Dilema dhe vonesa e Brukselit për integrimin e Ballkanit Perëndimor po e bën sërish të brishtë stabilitetin në rajon dhe u lë hapësirë për fuqizim aktorëve të tjerë si Rusia.

balkanlar_ve_turkler_900_450.jpg
Balkanlar 2016 53.jpg
Balkanlar 2016 52.jpg
Balkanlar 2016 26.jpg
Balkanlar 2016 25.jpg
Balkanlar 2016 18.jpg

Në kontekstin historik Ballkani përgjithësisht është trajtuar si "periferia e Evropës" ose "kufiri i Evropës". Për këtë arsye, për një kohë të gjatë ka pasur një qasje të rezervuar për ta çuar rajonin drejt anëtarësimit në BE. Ndërsa në një periudhë, kur filloi të besohej në sinqeritetin e disa liderëve evropianë, të cilët thonin se dera e BE-së do të lihet e hapur për Ballkanin Perëndimor, nisi të bëhet edhe më e paqartë jo vetëm politika e zgjerimit, por edhe e ardhmja e BE-së. Në varësi të kësaj është bërë sërish i brishtë edhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. 

Gjatë viteve 1990 liderët e Ballkanit, të cilët synonin anëtarësimin e vendeve të tyre në BE dhe i kishin përqafuar vlerat perëndimore, nuk u mbështetën mjaftueshëm nga Brukseli. Për këtë arsye udhëheqësit nacionalistë dhe neo-komunistë kanë qenë të fortë në Ballkan për një kohë të gjatë. Kurse në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë së Titos, imazhi i BE-së në Ballkan u dëmtua në një masë të rëndësishme. Për sa i takon përsesë, për arsye të interesave të tyre specifike vendet anëtare të BE-së nuk kishin arritur të ndiqnin një politikë të jashtme të përbashkët efektive ndaj krizës në Jugosllavi. Por jo vetëm kaq, në fillim të viteve 1990 BE-ja nuk e kishte ndjerë veten aq të kërcënuar sa që të ndërmerrte operacione ushtarake për shkak të ngjarjeve në Jugosllavi. Kjo është edhe arsyeja që lufta e Bosnjës në veçanti zgjati aq shumë.

Në gjysmën e dytë të viteve 1990, vendet e BE-së filluan t'i afrohen Ballkanit në një mënyrë më të përshtatshme dhe më të qëndrueshme. Paralelisht me këtë, erdhi duke u rritur edhe aktiviteti politik, ushtarak dhe ekonomik i BE-së në Ballkan. Kurse në fund të viteve 1990, BE-ja gjithashtu përqafoi edhe një qasje rajonale për Ballkanin dhe nëpërmjet bashkëpunimit rajonal filloi të ndjekë politikën e integrimit të Ballkanit brenda vetes. Në këtë kontekst, në vitin 1999 u hodhën edhe themelet e "Procesit të Stabilizim Asocimit" duke hapur kështu rrugën zyrtare për sjelljen e standardeve të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Qasja e BE-së ndaj Bullgarisë dhe Rumanisë ka qenë e ndryshme që në fillim. Me qëllim zhdukjen e ndarjes ideologjike midis Evropës Perëndimore dhe asaj Lindore këto dy vende ishin pjesë e procesit të zgjerimit të Unionit drejt Evropës Lindore. Megjithatë, në janar të 2007-ës kur u pranuan në BE Bullgaria me Rumaninë, dy periudhat e ndryshme ideologjike të mbetura nga Lufta e Ftohtë dhe në rivalitet me njëra-tjetrën tashmë kishin përfunduar me kohë. Por gara gjeopolitike që Perëndimi vazhdoi të ndjekë me Rusinë kërkonte anëtarësimin e Bullgarisë dhe të Rumanisë edhe në NATO, edhe në BE.

Vetëm se një qasje e ngjashme nuk vlente për Ballkanin Perëndimor. Në të vërtetë, mesazhin se "e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda kufijve të BE-së" Brukseli filloi ta japë vetëm pas viteve 2000. Në samitin e Selanikut, qershor 2003, u deklarua në mënyrë konkrete se vendet e Ballkanit Perëndimor do të pranoheshin si anëtarë të BE-së me plotësimin e kushteve të kërkuara nga Brukseli. Por gjatë këtij procesi vetëm një Kroaci, e cila ka jetuar për shekuj nën ndikimin e Evropës katolike, shkoi deri në anëtarësimin e saj në BE, në korrik 2013. Ndërsa për pjesën tjetër të rajonit procesi i anëtarësimit në BE mbeti gjithmonë i paqartë dhe përparoi me ngadalë. Është gjithashtu fakt i njohur se disa liderë në BE, e cila pas 2005-s vrapoi nga njëra krizë tek tjetra, kanë argumentuar se marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zvarriten drejt një alternative që përjashton anëtarësimin e tyre me të drejta të plota.

Kurse kohët e fundit, procesi i zgjerimit të BE-së është zhytur në pasiguri. Si shkaqe të kësaj mund të rendisim disa faktorë si: çështja e daljes së Anglisë nga BE-ja (Brexit), kriza e refugjatëve, kërcënimet e sigurisë, problemet ekonomike dhe rritja e ekstremit të djathtë. Si rrjedhojë Brukseli filloi ta nxjerrë procesin e zgjerimit të BE-së nga lista e përparësive. Edhe pse vende kritike të BE-së, siç janë Gjermania me Francën, vazhdojnë ti japin mbështetje të plotë pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE, atyre u duhet të përqendrohen më shumë në zhvillimet brenda Unionit.

E ndërsa procesi i zgjerimit po e humbiste vrullin, kjo la një hapësirë të volitshme për fuqizimin e aktorëve të tjerë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht të Rusisë. Disa llogari gjeopolitike në rajon, që besohej se i përkisnin të kaluarës tani filluan të bëhen prapë. Kurse vendet e Ballkanit Perëndimor u ballafaquan me zhvillime të brendshme politike destabilizuese, që kanë ndikuar negativisht në cilësinë e demokracisë dhe efektivitetin e institucioneve.

Të gjitha këto e kanë lënë Brukselin përballë një dileme të madhe. Nga njëra anë, vonesa e tepërt në procesin e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor, i cili po lufton me standardet e ulëta të jetesës, normat e larta të papunësisë, tensionet e brendshme politike, problemet në marrëdhëniet dypalëshe, ekstremizmat ideologjike në rritje dhe krimin e organizuar, mund ta çojnë këtë rajon drejt një të ardhmeje të pasigurt dhe me aspirata të ndryshme gjeopolitike. Nga ana tjetër, në vitet e ardhshme, duhet që BE-ja të fokusohet seriozisht në formësimin e marrëdhënieve të saj të brendshme dhe institucioneve të përbashkëta, përndryshe edhe vetë Unionin e pret një e ardhme e paqartë. Tani për tani, BE-ja lidhjen me Ballkanin Perëndimor po përpiqet ta mbajë gjallë në kuadër të Procesit të Berlinit. Nëse edhe ky proces e humbet dinamikën e tij, atëherë kjo do të dëmtonte si fuqinë sanksionuese të Brukselit mbi vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe solidaritetin e brendshëm të rajonit.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ



Lajme të ngjashme