Fillojnë ethet zgjedhore në Kosovë

Me vendosjen e 11 qershorit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme vendin dhe partitë politike i kanë kapur ethet zgjedhore.

732646
Fillojnë ethet zgjedhore në Kosovë

Presidenti Hashim Thaçi, ka vendosur që më 11 qershor të mbahen zgjedhjet e hershme në Kosovë. Në një komunikatë për media nga zyra e presidentit, kërkohet nga institucionet e Kosovës që edhe gjatë kësaj periudhe tranzitore të vazhdojnë të jenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Presidenti Thaçi gjithashtu ka dërguar ftesë tek Bashkimi Evropian, organizata ndërkombëtare dhe shoqëria civile në Kosovë, që të bëjnë monitorimin e zgjedhjeve të 11 qershorit. Një proces i ndershëm, demokratik dhe i pranuar nga të gjithë duhet të jetë pikësynimi jonë i përbashkët”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga zyra e presidentit. 

Zgjedhjet e hershme pritet të mbahen pasi gjatë ditës së mërkurë, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan që t’i japin fund qeverisjes së koalicionit PDK-LDK. Me 78 vota për, 34 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi votoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Isa Mustafës të iniciuar nga NISMA, AAK dhe VV.

***

KQZ e gatshme për zgjedhje

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) është institucion i cili sipas kushtetutës organizon zgjedhje.

KQZ e ka obligim kushtetues që ti organizojë zgjedhjet dhe pa marrë parasysh afatit të shkurtër, do ta kryejë obligimin, ka thënë kryetarja e këtij komisioni Valdete Daka.

“Natyrisht nuk është njësoj si të organizohen zgjedhjet për 30 ditë, sikur të organizohen për afatet e parapara me kushtetutë. Por meqenëse këto janë zgjedhjet e hershme dhe me siguri që ato duhet të organizohen në afat prej 30-45 ditë. Thash edhe njëherë, është kjo që i mbetet KQZ-së ti organizojë zgjedhjet”, ka thënë Daka.

***

Mocionit të opozitës i dha mbështetje edhe PDK e pozitës

Me 78 pro, 34 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi ka rrëzuar qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Isa Mustafa. Për rrëzimin e qeverisë kanë votuar edhe deputetë të PDK-së që ishin në bashkëqeverisje me LDK-në. Kjo i ka hapur hap rrugë zgjedhjeve të hershme parlamentare në Kosovë.

Në seancën e fundit, PDK dhe LDK edhe pse ishin në bashkëqeverisje për dy vjet e gjysmë, shkëmbyer kritika të shumta ndaj njëra tjetrës.

***

SHBA dhe BE mbështetje Kosovës pas situatës së krijuar

Autoritet e Bashkimit Evropian kanë shprehur keqardhje për rrëzimin e qeverisë së Kosovës dhe shpërndarjen e parlamentit. Pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, komisionari i BE-së për Politika të Fqinjësisë, Negociata e Zgjerim, Johannes Hahn, në një postimi në Twitter ka thënë se Kosova ka shumë punë për të bërë në agjendën e integrimeve evropiane. 

Tutje zëdhënësja e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, Maja Kociajanciq përmes një reagimi u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe institucioneve të Kosovës që të mos harrojnë sfidat e mëdha me të cilat përballet vendi i tyre.

“Jemi në dijeni për votën e mosbesimit të Kuvendit të Kosovës dhe shkarkimin e qeverisë. Kjo votë u zhvillua në një kohë kritike për Kosovën dhe reformat që lidhen me BE-në”, thuhet në deklaratën e saj.

Ndërkaq, në reagimin e Ambasadës e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, u bëhet thirrje zyrtarëve të mbetur në qeveri që të jenë fleksibil dhe t’i përgjigjen punëdhënësve gjatë periudhës së tranzicionit.

”Ne vazhdojmë të jemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Kosovën, qytetarët e saj dhe rrugëtimit të saj drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik”, thuhet në reagim e ambasadës amerikane në Prishtinë.  

***

Panairi i parë i automjeteve në Prishtinë

Në Prishtinë për herë të parë është mbajtur Panairi i Automjeteve të Reja, që zgjoi interesim.

Me heqjen e doganës dhe akcizës për blerje të veturave të reja pas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian (MSA), çmimet e këtyre veturave janë ulur, është thënë në hapje të panairit.

Mirëpo, në realitet doganë nuk paguhet vetëm për automjetet e prodhuara në Europë, pa marrë parasysh se ku e kanë bazën e kompanisë. Për shembull, Hyundai që është kompani me bazë në Korenë Jugore, për Hyundai I30 që prodhohet në Ceki, nuk paguhet doganë, kurse për Hyundai I20 që prodhohet në Turqi, paguhet doganë.

Sidoqoftë, Ministrja e Tregtisë e Industrisë Hikmete Bajrami në hapje të panairit tha se përveç shitjes së automjeteve, është mirë që në vendin tonë të prodhohen edhe auto-pjesë.

“Unë bisedova me përfaqësuesit që këta të bisedojnë me prodhuesit e këtyre veturave që ne tu ofrojmë këtyre mundësi për prodhimin e pjesëve të ndryshme në Kosovë, në mënyrë që jo vetëm të shiten këto vetura por pjesë të këtyre edhe të prodhohen këtu”, tha ministrja.

Kurse kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti u shpreh i gëzuar që Prishtina po u bashkëngjitet qyteteve të mëdha që organizojnë panaire të tilla.

“Makinat e reja natyrisht e përmirësojnë standardin e ambientit dhe ndotjen e zvogëlojnë në Prishtinë. E dimë se një prej arsyeve kryesore të ndotjes së madhe në Prishtinë janë makinat e vjetra, e posaçërisht ato që janë më të vjetra se 8 vjet. Prandaj gjithçka që promovon standarde të reja, që shumica e këtyre makinave kanë së paku euro 6 standardin, nivelin e ndotjes e kanë shumë më të ultë, patjetër që është mirë për ne si komunë”, tha Ahmeti.

Me këtë rast u kërkua nga bankat që të ofrojnë kredi më të volitshme për blerjen e veturave të reja.

***

Krijohet klimë e kënaqshme e bizneseve në vend

Raporti “Klima e biznesit në Kosovë”, i publikuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, tregon se për tremujorin e parë të vitit 2017, është krijuar klimë e kënaqshme e bizneseve në vend. Megjithatë, ka edhe sfida që po pengojnë zhvillimin e tyre, ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu

“Edhe përkundër kësaj që është krijuar në skenën politike, është obligim moral që për ekonomi dhe proceset ekonomike të bëhet më tepër në veçanti të krijohet një ambient më i volitshëm për sektorin privat”, ka thënë Gërxhaliu.

Kurse ministrja në largim e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se standardi i vënë tashmë për bizneset, është bërë normë që nuk mund të ndryshohet.

“Kërkesat e komunitetit të biznesit tani e tutje për bashkëpunim me institucionet qendrore sigurisht që do të jenë shumë të larta për shkak se ne i kemi bërë të tilla, duke i hapur dyert dhe duke bërë çdo politikë në bashkëpunim me ju”, ka thënë Bajrami.

Ndërsa, ministri në largim i Financave, Avdullah Hoti, tha se komunikimi që është vendosur me bizneset u ka ndihmuar për veprimet që duhet të ndërmarrin.

Raporti “Klima e biznesit në Kosovë”, identifikon pengesat e të bërit biznes në Kosovë dhe parashikimin e trendëve të ekonomisë së vendit në periudhë tre mujore dhe periudhë gjashtë mujore.

***

Lansohet Agjencia e Punësimit

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka bërë lansimin e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës dhe shërbimet e reja të punësimit. Agjencia e Punësimit pritet të krijoj lehtësime në procedurat e aplikimit on-line për punësim, program ky përmes së cilit  parashihet të përfitojnë të rinjtë, por edhe punëdhënësit.

Ministri në largim i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka thënë se kjo është një mundësi e mirë për aplikuesit për punësim.

Ndërsa, Marta Gazideda ngaProgrami i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, tha se ky është rezultat i punës shumëvjeçare mes UNDP-së dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Qendra për punësim do të ketë 38 zyra në të gjitha komunat e Kosovës.

***

“Dita e Vetëpunësimit” në Kosovë 

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim kanë shënuar Ditën e Vetëpunësimit. Për të shënuar këtë ditë është hapur panairi njëditor, ku kanë marrë pjesë biznese të vogla, fituese të granteve për zhvillim  përmes programit për vetëpunësim.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se në panair janë të paraqitura rreth 100 biznese dhe rreth 300 të punësuar që kanë përfituar nga programi i vetëpunësimit.

“Ky projekt për dy vjet ka nxit ndërmarrësin dhe ky ka qenë qëllimi kryesor i joni si Ministri të promovojmë sa më shumë ndërmarrësin, sepse mendoj që ka potencial shumë të madh, i cili mund të punohet në Kosovë”, ka thënë Abrashi.

Zëvendës-përfaqësuesja e UNDP-së, në Kosovë, Alessandra Roccasalvo, tha se ky projekt është një mekanizëm për t’i futur të gjithë të papunët në punësim në Kosovë.

***

“Dita ndërkombëtare e infermierisë”, edhe në Kosovë

Në  “Ditën ndërkombëtare të infermierisë”, grupi i grave asamblistë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, organizuan një aksion vullnetar me moto “Dhuro gjak, shpëto jetë”. Gjithashtu, me këtë rast u ndanë mirënjohje për kontribut jetësor 15 infermiereve të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Prishtinës. Ky aktivitet është shumë i rëndësishëm për qytetarët, e sidomos për punëtorët shëndetësorë, tha Kimete Zeqa, asamblistë e komunës së Prishtinës.

“Jam e kënaqur që ky aktivitet është i suksesshëm, megjithëse kemi shumë aktivitete gjatë vitit por ky aktivitet është njëri ndër të gjitha aktivitetet më duket që është më i suksesshmi sepse jo vetëm se dhurohet gjak por edhe mësohet për shëndetin e personit”, ka thënë ajo.

***

“Dita e Europës” u festua në Kosovë

Ndonëse në vendet tjera evropiane 9 Maji nuk shënohet si Dita e Evropës, në Kosovë kjo datë është në kalendarin e festave zyrtare. Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më të izoluara në Ballkan sa i përket lirisë së lëvizjes. Në këtë ditë, kur qytetarët vazhdojnë të shpresojnë ende në liberalizimin e vizave brenda këtij viti, Shefja për Politikë të Jashtme e BE-së Federika Mogherini, përmes një video-mesazhi, ka folur vetëm rreth të ardhmes së Bashkimit Evropian, por jo edhe heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Edhe përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë, Natalya Apostollova, u është drejtuar qytetarëve të Kosovës me një video-mesazh, duke iu uruar 9 Majin, Ditën e Evropës. As Apostollova nuk ka dhënë ndonjë shpresë se sivjet Kosova mund t`i thyejë muret e Shengenit për të lëvizur lirshëm qytetarët e saj në BE.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme