Kosovë - Deputetët javën e ardhshme votojnë për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë

Të mërkurën më 10 maj mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku pika e vetme e rendit të ditës është votimi për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

726881
Kosovë - Deputetët javën e ardhshme votojnë për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë

Pas dorëzimit të kërkesës për mocion nga deputetët e partive opozitare Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje tek Kuvendi, të nënshkruar nga 42 deputetë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot mbajti një mbledhje me kryetarët e grupeve parlamentare. 

Pas kësaj mbledhjeje, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kreu i partisë të koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli tha se gjendja në Kosovë nuk është ajo e cila duhet të jetë, dhe se as ai e as qytetarët nuk janë të kënaqur me këtë gjendje, ku sipas tij, ka mungesë të vendimmarrjes. Sipas tij ajo çfarë i duhet këtij vendi është që të shihet progres më i madh. Veseli po ashtu shtoi se do të vazhdojnë të komunikojnë në mënyrë intensive me partnerin e koalicionit. 

Veseli tha se “Ne kemi obligime ndaj qytetarëve, nuk është politikë të qëndrosh, nuk është kjo jeta ime në politikë të qëndroj për hir të kolltukut, e as për hir vetëm të posteve, duhet vendimmarrje në mënyrë që të përmirësohet jeta e qytetarëve dhe në të njëjtën kohë të merren vendimet të cilat janë drejtpërdrejt me shtetin tonë”, tha Veseli. 

Kurse Ismet Beqiri, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se opozita e ka të drejtën e paraqitjes së mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë, të cilën e garanton kushtetuta, por sipas tij akuzat e opozitës janë të paqëndrueshme. 

Sipas Beqirit, nënshkrimet për mocion janë të partive opozitare dhe të disa individëve të pakënaqur me pozitën. Ai vuri theksin në atë se në marrëveshjen e koalicionit pos tjerash është edhe një pikë që thotë se anëtarët e koalicionit nuk do ta përkrahin asnjë mocion të opozitës a po të tjerëve ndaj Qeverisë. 

Duke vënë në dukje se çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nuk është arsye e mjaftueshme për të shpërbërë parlamentin, Beqiri tha se në rast të rrëzimit me të gjitha çështjet me të cilat përballet kjo Qeveri tani, do të përballet edhe Qeverisja e ardhshme. (AA)



Lajme të ngjashme