Dështon takimi i dytë Rama-Basha për zgjedhjet e 18 qershorit

Takimi i dytë Rama-Basha në presidencë është mbyllur pa asnjë marrëveshje, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk ndryshojnë pozicionet

Arnavutluk Demkratik Partisi lideri_Lulzim Basha_gazeteciler.jpg
Edi Rama
Arnavutluk-taki muhalefetin çadırlı protestosu.jpg

Kryeministri i Shqipërisë, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, lideri i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, janë takuar përsëri mbrëmjen e të enjtes në selinë e Presidencës së Shqipërisë, por takimi ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje konkrete.

Ashtu si edhe të mërkurën takimi është realizuar pas ftesës së Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani dhe vjen në një kohë kur partitë e opozitës vazhdojnë protestën që prej 18 shkurtit, duke refuzuar regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet legjislative të 2017-ës.

Në përfundim të takimit Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në një deklaratë për mediat u shpreh se palët janë në të njëjtin pozicion si një ditë më parë.

"... Jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë dje. Oferta që unë i kam bërë Partisë Demokratike nëpërmjet kryetarit të saj është ajo e ditura, për të ndërtuar një mekanizëm monitorimi të zgjedhjeve, ku PD-ja të ketë të dy sytë në proces nga brenda qeverisë me një zv/kryeministër të propozohet nga Partia Demokratike, po të vijë jo nga radhët e PD-së dhe së bashku me 3 përfaqësues, të SHBA-ve, të BE-së dhe OSBE-së të krijojë një task-force për të siguruar që shteti dhe asetet shtetërore nuk keqpërdoren për fushatë elektorale...". 

Në një pyetje a do të takohet sërish me Bashën, Kryeminstri Rama tha se: "Unë mund ta takoj sërish dhe gjithmonë dhe ndërkohë zgjedhjet do të bëhen më 18 qershor dhe ne do të vazhdojmë punën për të fituar zgjedhjet. Marrëveshje nuk ka dhe më shumë se kaq nga ana jonë nuk do të ketë. Për të tjera, z.Basha mund t’i thotë në çadër. Jeta vazhdon..."

Ndërsa, kreu i opozitës, Lulzim Basha pas përfundimit të takimit të dytë me kryeministrin Rama në Presidencë tha se dy ishin kundërpropozimet e PD, qeveri teknike dhe votim dhe numërim elektronik brenda 6 muajsh.

Kryetari i PD-së, Basha tha gjithashtu se 4 ministrat teknik të propozuar si ofertë nga kryeministri Rama dy javë më parë nuk jepnin asnjë garanci, përveçse plotësonin synimet e tij politike. 

"...Takimi i sotëm ishte për fat të keq një përsëritje e takimit të djeshëm. Rama erdhi në tyrezë pa asnjë ofertë përveç mos ofertës të takimit të djeshëm i cili buron nga mungesa totale e vullnetit për të realizuar krizën e rëndë politike në vend si rezultat i gjendjes së rendit dhe sigurisë për shkak të krimit me pushtet dhe pushtetit të inkriminuar si rezultat i drogës dhe parave të drogës si rezultati i marshimit të administratës shtetërore si një marshim elektoral në funksion të PS dhe pushtetit. Mos realizimi i dy probleme tashmë ndërkombëtarisht të njohura dhe të pranuara si kërcënim ekzistencial për votën e lirë të shqiptarëve përbën një mospremisë për zgjidhje..."

Protesta e opozitës vazhdon që prej datës 18 shkurt të këtij viti, me kërkesën për krijimin e qeverisë teknike për përgatitjen e zgjedhjeve të 18 qershorit.

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme