Vendim historik për Malin e Zi

Parlamenti malazez ratifikoi anëtarësimin në Aleancën ushtarake NATO, një kthesë kjo, historike drejt perëndimit dhe mes protestave nga aleati tradicional i Malit të Zi Rusia dhe opozita pro-ruse në vend.

trump nato karadağ.jpg
Karadağ_Tuz şehri_genel görüntü.JPG
Karadag plaj.jpg
Karadağ
Karadağ-Tivat-tatil.jpg

Deputetët, të mbledhur në kryeqytetin historik Cetinje votuan me 46 vota pro dhe asnjë kundër, për të ratifikuar Traktatin e pranimit në Aleancës Ushtarake Perëndimore NATO. Pas votimit, deputetët u ngritën në këmbë dhe duartrokitën mes brohoritjeve vendimin historik.

Parlamenti malazez ka 81 anëtarë, por ligjvënësit e opozitës pro-ruse e bojkotuan këtë seancë. Disa qindra mbështetës të opozitës u mblodhën përpara votimit dhe hodhën parulla “Tradhti”, “Hajdute”, dhe dogjën një flamur të NATO-s. Mali i Zi ka një forcë të vogël ushtarake por pozita e tij strategjike i jep NATO-s kontroll të plotë në Adriatik. Edhe vendet e tjera me dalje në Adriatik, Shqipëria, Kroacia dhe Italia, janë gjithashtu pjesë e Aleancës. Rusia është irrituar së tepërmi nga zgjerimi i NATO-s në Mal të Zi, një zonë interesi historik për Moskën. Vetëm pak kohë më parë, Mali i Zi akuzoi zyrtarisht Rusinë se fshihej pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti në tetor, që pretendohet se kishte për synim rrëzimin e qeverisë së ish-Kryeministrit Millo Gjukanovic dhe pengimin e anëtarësimit të vendit në NATO. Por Kremlini e ka hedhur poshtë këtë akuzë.

Kryeministri Dushko Markovic: Anëtarësimi në NATO, moment historik për Malin e Zi

Kryeministri Dushko Markovic ka thënë se anëtarësimi në NATO është një garanci për sigurinë e për të ardhmen e Malit të Zi, progresin ekonomik dhe stabilitetin rajonal. “Ky parlament dhe anëtarët e tij kanë privilegjin historik për të marrë një vendim që do të mbahet mend për sa kohë që të ketë një Mal të Zi dhe malazezë”. “Kjo ditë do të shënohet si një ndër më të shkëlqyerat në historinë tonë”,- tha Markovic.

Edhe Kryetari i Parlamentit Ivan Brajeviq e quajti këtë “një ditë historike dhe shumë të rëndësishme për Malin e Zi”.

***

Kuvendi i Malit të Zi: Tuzi komunë e pavarur 

Parlamenti i Malit të Zi ndërkohë miratoi edhe Ligjin për Organizimin Territorial, me të cilin parashihet që Tuzi të jetë komunë e pavarur. Kjo ka qenë një kërkese e hershme e subjekteve politike shqiptare në Malin e Zi, por që po bëhet realitet me marrëveshjen ndërmjet partisë më të madhe në Mal të Zi, asaj Demokratike të Socialisteve dhe koalicionit “Shqiptarët të vendosur”. Me ligj përcaktohet statusi i plotë për Tuzin nga 1 shtatori i vitit 2018-të. Po ashtu parashihet edhe formimi i Këshillit Organizativ në mënyrë që komuna e re të funksionojë pa vështirësi. Tuzi me shumicë shqiptare deri tani ka funksionuar si komunë në kuadër të kryeqytetit Podgoricë. Vendimi i Parlamentit u përshëndet nga të gjitha subjektet politike shqiptare, ndërsa Kryetari i Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit Fadil Kajoshaj thotë se kjo ishte dëshirë e ç’do partie politike shqiptare në Mal të Zi.

Më në fund ka ardhur momenti që të realizohet dëshira e qytetarëve të Malësisë që Tuzi të jetë komunë, ashtu si edhe ç’do komunë tjetër në Mal të Zi. Ç’do parti shqiptare këtë e kishte në program, por për shkaqe politike kjo nuk u realizua për një kohë të gjatë”,- shprehet Kaloshaj.

V.Katana: A keni besim që kësaj radhe ky vendim do të realizohet dhe nuk do të ketë pengesa si më parë?

F. Kajoshaj: “Të shpresojmë dhe të besojmë. Gjithmonë ekziston dyshimi nga përvojat e kaluara të hidhura dhe joreale. Na mbetet që të besojmë që do të realizohet një gjë e tillë”.

V.Katana:Çfarë ka treguar përvoja juaj në krye të Kuvendit të Tuzit, a do të mund të mbijetojë kjo Komunë e pavarur ekonomikisht?

F. Kajoshaj: “Me një menaxhim të duhur dhe të mirëfilltë mendoj se do të mund të mbijetojë. Fillimi do të jetë i vështirë në aspektin ekonomik, por kur kemi parasysh që kërkesat tona shpesh herë janë refuzuar nga Kryeqyteti, mendoj që Komuna e Pavarur e Tuzit është zgjidhja më e drejtë“.

***

Zyrtarë të lartë të Malit të Zi urojnë Ilir Metën, Presidentin e sapozgjedhur të Shqipërisë

Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanovic ka uruar nëpërmjet një telegrami Presidentin e sapozgjedhur të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Vujanovic shpreh bindjen se zgjedhja e z.Meta në postin e Presidentit do të forcojë stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon si dhe do të forcojë lidhjet mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Jam i bindur se zgjedhja juaj është në interesin më të mirë të Shqipërisë, dhe forcimit të stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon. Shfrytëzoj rastin të shpreh respektin për marrëdhëniet mjaft të mira të Malit të Zi dhe Shqipërisë. Bashkëpunimi jonë, gjithmonë në rritje, bazohet në miqësinë tradicionale dhe interesin e përbashkët për përparimin e shteteve tona dhe arritjen e prosperitetit të qytetarëve. Në këtë frymë, dëshiroj të njoftoj gatishmërinë personale drejt përkushtimit të forcimit të lidhjeve në mes shteteve tona, bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe përshpejtimin e integrimeve Evropiane, – shkruan Presidenti i Malit të Zi, z. Filip Vujanovic në mesazhin e tij drejtuar z. Ilir Meta.

Ilir Metën e ka përgëzuar edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Socialisteve të Malit të Zi, Millo Gjukanovic.

***

Në Ulqin hapet manifestimi tradicional “Të gjithë për turizëm”

Me aktivitete të shumta kulturore u hap simbolikisht dhe sezoni veror i këtij viti. Bartës të aktiviteteve janë organizata turistike, Komuna e Ulqinit, por një aktivitet do të realizohet edhe me Institutin e Kulturës Turke “Yunus Emre”. Aktivitete të tjera me Institutin janë paralajmëruar edhe në kuadër të Festivalit “Skena e Ulqinit 2017”.

Drejtori i Organizatës Turistike Fuad Haxhibeti duke ftuar mysafirët që të kalojnë sa më bukur në Ulqin ka shpalosur dhe aktivitetet që priten të realizohen. Ai shtoi se autoritetet vendore kanë marrë të gjitha masat e duhura që në pikën kufitare, që lidh Malin e Zi me Shqipërinë, të mos ketë pritje të gjata për turistët. Aktivitetet me rastin e hapjes së sezonit turistik do të organizohen në dy pjesët më atraktive të qytetit bregdetar të Ulqinit, në Plazhin e Vogël si dhe në Kala.

- Përgatiti për TRT në Shqip, Vera KATANA -



Lajme të ngjashme