Hoxhaj: Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, garanci për sigurinë e Ballkanit

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, zhvilloi të shtunën një bisedë telefonike me homologun e tij nga Mali i Zi, Srdjan Darmanoviç, të cilin e përgëzoi për votimin pro në Parlamentin malazez të anëtarësimit të këtij shteti në NATO...

Hoxhaj: Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, garanci për sigurinë e Ballkanit

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, zhvilloi të shtunën një bisedë telefonike me homologun e tij nga Mali i Zi, Srdjan Darmanoviç, të cilin e përgëzoi për votimin pro në Parlamentin malazez të anëtarësimit të këtij shteti në NATO.

“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO reflekton siguri më të madhe për Ballkanin dhe goditje ndaj tendencave për ndikime të jashtme antiperëndimore në Ballkan. Ky votim i Parlamentit malazez është lajm i mirë jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për Kosovën si shtet fqinj dhe stabilitetin e rajonit”, tha ministri Hoxhaj.

Kuvendi i Malit të Zi, mbledhur të premten në Cetinje, kryeqyteti historik, miratoi anëtarësimin e vendit në NATO, etapa e fundit që ish-republika jugosllave duhet të kalonte për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake të Atlantikut të Veriut.

Mali i Zi shpreson tashmë të bëhet zyrtarisht pjesë e NATO-s gjatë samitit në muajin maj në Bruksel.

Deri në atë kohë, dy nga 28 vendet anëtare, Spanja dhe Holanda, duhet të miratojnë dokumentin që Parlamenti malazez aprovoi të premten.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, do t’i dërgojë menjëherë Malit të Zi një ftesë zyrtare për t’u bërë pjesë e NATO-s.

Deputetët e opozitës, të cilët bojkotuan punimet në Parlament, nuk morën pjesë në votim.

Rreth 200 mbështetës të Frontit Demokratit, partia kryesore e opozitës proruse, manifestuan në Cetinje kundër anëtarësimit në NATO.

Fronti Demokratik kërkon me këmbëngulje një referendum në Malin e Zi për anëtarësimin në NATO.

Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të riforconte edhe më tepër praninë e aleancës në Ballkan, ndërkohë që Greqia, Kroacia dhe Shqipëria janë tashmë anëtare.



Lajme të ngjashme