Kosovë - Rregullorja e Speciales në kundërshtim me kushtetutën

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë konstatoi se nëntë prej rregullave për krime lufte në Kosovë, ishin në mospërputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës.

Kosovë - Rregullorja e Speciales në kundërshtim me kushtetutën

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë pas shqyrtimit të 208 rregullave të miratuara nga Plenarja, konstatoi se nëntë prej rregullave për krime lufte në Kosovë, ishin në mospërputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës. 

Në një njoftim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës thuhet se Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese nxori Vendimin mbi Referimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave ku u shpreh se referimi ishte i pranueshëm. Referimi synonte garantimin e përputhshmërisë së Rregullores me Kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kapitulli II i Kushtetutës trajton ‘Të drejtat dhe liritë themelore’. 

Në vendimin e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese konstatohet se nga gjithsej 208 rregulla, gjykatësve të Plenares do t’u duhet të shqyrtojnë sërish 10 dispozita konkrete. Gjykata konstatoi se nëntë prej rregullave ishin në mospërputhje me Kapitullin II të Kushtetutës. Gjykata gjithashtu u shpreh se nuk mund të nxirrte konstatim nëse një rregull tjetër ishte në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës. Ky proces fuqizon strukturën e Dhomave të Specializuara dhe garanton plotësisht respektin për të drejtat themelore dhe liritë e individit. 

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese kujtoi se në bazë të ligjit, rregullorja duhet të pasqyrojë standardet më të larta të të drejtave ndërkombëtare të njeriut me synimin e garantimit të procedurave gjyqësore të drejta dhe të shpejta. 

Ndërsa, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova reagoi ndaj vendimit me anë të një deklarate duke theksuar se: “Shqyrtimi prej Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese i Rregullores së miratuar të Procedurës dhe të Provave është një element thelbësor për të garantuar, sikurse kërkohet prej Kushtetutës së Kosovë, zbatimin e standardeve më të larta të të drejtave të njeriut nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Krahasuar me institucione të tjera që procedojnë krime të ngjashme, kjo përbën një risi”. 

Në deklaratën e Trendafilovës theksohet se brenda një kohe të shkurtër, ajo do të mbledh Plenaren me qëllim që rregullat e lartpërmendura të ndryshohen në përputhje me vendimin e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, Rregullorja do të hyjë në fuqi pasi Gjykata Kushtetuese të ketë marrë vendim të formës së prerë se të gjitha rregullat janë në përputhshmëri me Kapitullin II të Kushtetutës, thuhet në deklaratë. 

Ndryshe, Dhoma e Specializuar merret me raste sikurse krimi i organizuar apo edhe korrupsioni. Tek juridiksioni territorial ka të bëjë me ligje të zbatueshme penale që kanë qenë në fuqi në mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000, që nënkupton Ligjet e ish Jugosllavisë, Rregulloret e UNMIK-ut, që do të thotë për veprat penale të nisura dhe të kryera jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj, në Serbi, Shqipëri apo Mal të Zi. (AA) 



Lajme të ngjashme