Kosova, bisedime në Uashington me FMN-në dhe Bankën Botërore

Delegacioni i Republikës së Kosovës mori pjesë në takimet e Konstituencave, anëtare e të cilave është edhe Kosova, ku u diskutuan raportet e ndryshme zhvillimore në Fondin Ndërkombëtar Monetar dhe në Bankën Botërore.

Kosova, bisedime në Uashington me FMN-në dhe Bankën Botërore

Ministri i Financave Avdullah Hoti, së bashku me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza dhe ekipin përcjellës në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, u takua me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore Cyril Muller, drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore Franciscus Godts, dhe drejtoreshën për Ballkan Perëndimor Ellen Goldstein.

Në këto takime u diskutua për zhvillimet e fundit ekonomike në Kosovë, progresin në zbatimin e projekteve të financuara nga Banka Botërore, si dhe për financimin e projekteve të reja.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore falënderuan ministrin Hoti për bashkëpunimin dhe u zotuan për mbështetjeje të mëtutjeshme të projekteve me interes publik në Kosovë, të cilat tanimë janë aprovuar nga qeveria e Kosovës, si pjesë e listës së projekteve për financim përmes Klauzolës për Investime.

Në këto takime u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, duke përfshirë edhe zhvillimet për projektin e Termocentralit Kosova e Re, për çka Banka Botërore ri-konfirmoi zotimin për përkrahjen e këtij projekti me rëndësi.

Po ashtu u diskutua edhe për strategjinë e re të Bankës Botërore për Kosovë, në të cilën strategji reflektohen prioritetet e qeverisë së Kosovës. Me këtë rast, u bë e ditur se Ministria e Financave ka dërguar komentet në draftin e këtij dokumenti tek Banka Botërore, dhe pritet që këto komente të integrohen në draftin final.

Delegacioni i Republikës së Kosovës po ashtu mori pjesë edhe në takimet e Konstituencave, anëtare e të cilave është edhe Kosova, ku u diskutuan raportet e ndryshme zhvillimore në Fondin Ndërkombëtar Monetar dhe në Bankën Botërore.

Të dyja palët u pajtuan që në muajin e ardhshëm të organizojnë një tryezë në Prishtinë, me organizatat e shoqërisë civile për të promovuar mundësitë që kanë OJQ-të në Kosovë për qasje në fonde të Bankës Botërore, pas letrës që ka dërguar ministri Avdullah Hoti në Bankë Botërore lidhur me “Global Partnership For Social Accountability”.

Delegacioni nga Kosova gjatë vizitës në Uashington dje u takuan me Zëvendëspresidentin e Fondit Monetar Ndërkombëtar Tao Zhang, me Drejtorin e Departamentit për Evropë në FMN Paul Thomson, si dhe Drejtoreshën Ekzekutive të Konstituencës së Kosovës Michaela Erbenova.

Në të gjitha takimet, zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar përgëzuan Ministrinë e Financave dhe Bankën Qendrore të Kosovës për zbatimin me sukses të të gjitha reformave që lidhen me rishkimin e dytë dhe të tretë të programit.



Lajme të ngjashme