Shqipëri – Mogherini dhe Hahn: Të përfundojë formimi i institucioneve të Vettingut

“U bëjmë thirrje partive shqiptare që të përfundojnë formimin e institucioneve të Vettingut”, theksojnë në një komunikatë të përbashkët shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini dhe komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn...

Shqipëri – Mogherini dhe Hahn: Të përfundojë formimi i institucioneve të Vettingut

Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini dhe komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, kanë shprehur keqardhjen e tyre për bojkotin e Parlamentit nga opozita dhe mosregjistrimin e saj në zgjedhje.

Në një deklaratë të përbashkët, Mogherini dhe Hahn shprehen se debati politik nuk duhet të bëhet jashtë, por brenda Parlamentit dhe në bazë të praktikave demokratike.

“Qytetarët meritojnë të kenë një lidership të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje sërish politikanëve që të sillen në mënyrë të përgjegjshme, në respekt të institucioneve dhe të hapin rrugën për zgjedhje demokratike në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e zyrtarëve të lartë të BE-së.

Mogherini dhe Hahn theksojnë gjithashtu nevojën e madhe që Shqipëria ka për reformën në drejtësi, e cila është sulmuar sërish nga opozita.

“U bëjmë thirrje partive të përfundojnë formimin e institucioneve të Vettingut. Sulmi i reformës në drejtësi dhe jo implementimi i saj, me monitorimin e ngushtë të ONM-së, dëmton të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, vijon deklarata.

Dy zyrtarët e lartë të BE-së shprehen optimistë se ligjvënësit shqiptarë do të tregojnë përgjegjësi dhe aftësi për të vepruar sipas procedurave institucionale ligjore.

“Ne presim që ata të jenë në shërbim të popullit shqiptar, që vazhdon të kërkojë që Vettingu i nisur dhe reforma në drejtësi të implementohen, si një hap jetik për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian”, përfundon deklarata. 



Lajme të ngjashme