Vuçiç përballet me akuza për mashtrime në zgjedhjet presidenciale
Sasha Jankoviç, rivali kryesor i Vuçiçit, ka denoncuar parregullsitë skandaloze në zgjedhjet presidenciale të 2 prillit dhe i ka kërkuar Komisionit Elektoral të numërojë votat.




Një kandidat i pavarur proevropian në presidencialet serbe, denoncoi parregullsitë skandaloze në zgjedhjet e 2 prillit, të fituara nga kryeministri Aleksandër Vuçiç.
Megjithatë, këto akuza u refuzuan menjëherë nga lideri serb që i konsideroi ”gënjeshtra të trasha”.
Demonstrime me pjesëmarrjen e mijëra personave po zhvillohen që prej një jave në Beograd dhe qytete të tjera për të protestuar kundër zgjedhjes së Vuçiçit që në raundin e parë të presidencialeve.
Por, kjo është hera e parë që një nga kundërshtarët e tij dënon hapur parregullsitë në numërimin e votave.
Sasha Jankoviç, rivali kryesor i Vuçiçit, fitoi 16 për qind të votave.
”Ai i ka kërkuar Komisionit Elektoral të numërojë votat”, tha zyra e tij e shtypit.
Jankoviç tha se vetëm në një rast, nga 25 kuti të numëruara, Aleksandar Vuçiçit i ishin dhënë 964 vota më shumë.
“Parregullsitë janë skandaloze”, theksoi ai.
Duke reaguar për akuzat e bëra, Vuçiç u ankua për nivelin qesharak që kundërshtari i tij zotëronte në matematikë.
“I propozoj Komisionit Elektoral t’i hapim ato kuti dhe t’i numërojmë votat në prani të gazetarëve”, tha Vuçiç në një konferencë shtypi.