Rama për zgjedhjet e 18 qershorit: Dita kur vendos populli, diskutimi i partive i pakuptimtë

Në lidhje me zgjedhjet në 18 qershor Edi Rama tha të martën se, “dita e zgjedhjeve është dita kur vendos populli, dhe partitë nuk kanë asnjë të drejtë të diskutojnë këtë, ashtu siç kanë të drejtë të hyjnë ose jo në zgjedhje.”

Rama për zgjedhjet e 18 qershorit: Dita kur vendos populli, diskutimi i partive i pakuptimtë

Në lidhje me zgjedhjet në 18 qershor Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha të martën se, “dita e zgjedhjeve është dita kur vendos populli, dhe partitë nuk kanë asnjë të drejtë të diskutojnë këtë, ashtu siç kanë të drejtë të hyjnë ose jo në zgjedhje. Kjo është data e dekretuar nga Presidenti i Republikës”.

I pyetur mbi deklaratën e Kreut të Kuvendit të LSI, i cili u shpreh se pluralizmi ka ardhur që në ’90, Rama u përgjigj se, “unë e nënshkruaj këtë deklaratë njësoj sikur ta kem thënë vetë”.

I pyetur nëse ka ndonjë përgjegjësi për qëndrimin e opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje, Kryeministri Rama tha se, “Nuk e çoj unë vendin në zgjedhje. Vendosin vetë partitë politike të marrin pjesë apo jo në zgjedhje. Nuk ka lidhje me mua apo qeverinë”.

I pyetur mbi deklaratat e Kreut të Kuvendit, Meta, i cili ka lënë të kuptohet se zgjedhjet pa opozitën janë katastrofike, Rama u shpreh se, “Varet si e dëgjon Metën, unë e kuptoj shumë mirë. Secili shkon në zgjedhje me programin, me skuadrën, me liderin e vet. Është e drejtë e çdo subjekti politik të shkojë apo jo në zgjedhje”.

Ndërsa i pyetur për koalicionin parazgjedhor dhe nëse ka marrë përgjigje nga Meta, Rama tha se, “nuk kam marrë një përgjigje, sepse nuk kam bërë një pyetje. Nuk e shoh të nevojshme të bëhet ky diskutim. Kur njerëzit janë bashkë diskutojnë në rast se duan të ndahen”.

I pyetur mbi bashkëjetesën në koalicionin me LSI, Rama u shpreh se, “Koalicioni ynë ka qenë larg të qenit luftarak. Është një bashkëjetesë normale mes forcash që janë të ndryshme, kanë qasje të ndryshme në momente të caktuara, por që kanë një qëllim të caktuar”.

I pyetur nëse do të bisedonte me PD-në dhe do të pranonte qeverinë teknike nëse PD firmos Vettingu-n, Rama tha se, “Vettingu nuk është nder që më bëhet mua por detyrim për të gjithë popullin. Të mbyllet pazari i gjësë së gjallë që është sistemi i drejtësisë. Nuk janë kushte ato që vendosin ata, i burojnë nga frika e dëshpërimit dhe mungesa e dashurisë për popullin”.

I pyetur për zgjedhjen e Presidentit dhe nëse do t’ia japë opozitës, Rama tha se, “Çdo gjë që ka të bëjë me rregullat e lojës. Ne i themi opozitës të jetë njësoj e garantuar sa shumica. Ka një Kushtetutë që thotë si zgjidhet Presidenti. Është njësoj si për të pushuar një fëmijë që qan, t’i jepni babagjyshin. Nuk bëhet kjo, ti kërkon unë të jap, e pastaj më jep. Ka mbaruar kjo në qershor 2013. Presidenti do të jetë i të gjithë shqiptarëve, nuk do jetë i një force politike. Çdo ndryshim ligjor të nevojshëm për opozitën, në Kodin Zgjedhor apo Penal apo kudo, le ta sjellin, ne jemi gati ta votojmë. Por mjafton të përputhet me standardet e OSBE-ODIHR. Nëse kanë ndonjë mekanizëm të duhur për zgjedhjet ta sjellin, mjafton të jetë sipas standardeve. Edhe sikur në çadër të derdhet lumë birra, nuk ka më shumë se kaq”.



Lajme të ngjashme