Mustafa: Çështjet e brendshme të Kosovës nuk i diskutojmë me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në punimet e Samitit të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor.

Mustafa: Çështjet e brendshme të Kosovës nuk i diskutojmë me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në punimet e Samitit të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, i njohur si “Western Ballkan 6”, i cili u zhvillua në Sarajevë.

Në takim, përveç Kryeministrit Mustafa ishin edhe Komisioneri i BE-së për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn si dhe Kryeministrat e Bosnjë e Hercegovinës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë dhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano.

Në punimet e Samitit, Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve ka prezantuar të arriturat e Republikës së Kosovës, si dhe ka shprehur qëndrimet lidhur me proceset e mëtejme eurointegruese të Republikës së Kosovës dhe rajonit. Ai me këtë rast ka shprehur përkushtimin e Kosovës në agjendën e bashkëpunimit rajonal, sidomos në aspektin ekonomik dhe tregtar.

“Synimi i Kosovës është të jetë pjesë e tregut evropian, ndërkaq me vendet e Ballkanit Perëndimor të lehtësojë dhe përparoj bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, qoftë ai unik evropian, apo një treg i Ballkanit Perëndimor nuk mund të funksionojë pa lëvizjen e lirë dhe për Kosovën pa liberalizim të vizave”, tha Mustafa.

Duke folur për bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit, Kryeministri Mustafa tha se Kosova ka marrëdhënie shumë të mira me shumicën e vendeve të rajonit, duke folur edhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ndërkaq, Kryeministri Mustafa i është kundërpërgjigjur disa çështjeve që janë ngritur në këtë takim nga Kryeministri serb, Vuçiç duke i bërë të qartë se ato janë çështje të brendshme të Republikës së Kosovës dhe se nuk do t’i diskutojnë ato çështje me të.

“Disa çështje që u hapën sot këtu nga Vuçiç, i konsideroj se janë çështje të brendshme të Kosovës, ku Kosova ka legjitimitet të plotë të vendos, prandaj nuk e shoh asnjë arsye që ato t’i diskutojë këtu me juve”, tha Kryeministri Mustafa në samit.

Ky Samit, është mbajtur në kuadër të përgatitjeve për Samitin e radhës të përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE-së, si vazhdimësi e Procesit të Berlinit, i cili pas Berlinit, Vjenës dhe Parisit, sivjet do të mbahet në Trieste të Italisë. (AA)



Lajme të ngjashme