Shqipëri – Koalicioni qeverisës i bën ftesë opozitës për dialog

Pas një takimi në vilën qeveritare Edi Rama dhe Ilir Meta kanë shprehur gatishmërinë për të dialoguar me opozitën, e cila vazhdon protestat që nga 18 shkurti e këtej.

ilir meta - gazetecilere açıklama.jpg
Arnavutluk-taki muhalefetin çadırlı protestosu.jpg
Arnavutlukta çadırlı protesto.jpg

Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, dy drejtuesit e koalicionit qeveritar PS-LSI, zhvilluan një takim 1 orësh ne vilën qeveritare, në Tiranë,  pas të cilit u shprehën të gatshëm për të dialoguar apo ulur në tryezë me opozitën, e cila prej 18 shkurtit po proteston në çadrën e vendosur para kryeministrisë duke kërkuar largimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Në takim ishin të pranishëm edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, kreu i LSI-së, Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili si edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.

Pas takimit në një deklaratë zyrtare, thuhet se krerët e koalicionit qeverisës diskutuan mbi reformën në drejtësi në takimin e përjavshëm, bojkotin e Parlamentit nga opozita dhe reformën zgjedhore.

“Në fokus të takimit ishin Reforma në Drejtësi, procesi i Vetting-ut si hap i parë në zbatimin e saj, si edhe Reforma Zgjedhore dhe domosdoshmëria për një proces zgjedhor me besueshmëri të lartë e transparencë të plotë. Koalicioni qeverisës është i gatshëm të dialogojë me opozitën për domosdoshmërinë e çuarjes përpara të këtyre reformave me interes kombëtar e publik, duke mirëpritur edhe çdo propozim konkret dhe realist të opozitës për procesin zgjedhor. Liderët e koalicionit shprehën gatishmërinë për të dialoguar me përfaqësuesit e opozitës në Kuvend apo në çdo tryezë dialogu që është e dëshirueshme për opozitën”, thuhet në deklaratë.

Kjo ftesë vjen në një kohë kur të premten pasdite Shqipërinë do ta vizitojë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë/ Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian,Federica Mogherini.



Lajme të ngjashme