Analizë - Protestat në Rumani dhe përfundimet e tyre

Protestat në Rumani nuk u zhvilluan vetëm kundër qeverisë Grindeanu, në fakt ato ishin kundër të gjithë klasës politike që e ka drejtuar vendin pas viteve 1990 në kushtet e varfërisë dhe nivelit të ulët të mirëqenies.

Analizë - Protestat në Rumani dhe përfundimet e tyre
Romanya-nın yeni hükümeti
Romanya-nın yeni kabinesi.jpg
Sevil Shhaideh - Romanya başbakan yardımcısı

Lajmi se qindra-mijëra njerëz dolën në rrugët e Rumanisë për të mbrojtur demokracinë dhe luftën kundër korrupsionit bëri një jehonë të gjerë në agjendën botërore gjatë tre javëve të fundit. Ai që i nxiti këto protesta ishte një dekretligj i nxjerrë urgjentisht nga qeveria me qëllimin për të bërë ndryshime në legjislacionin anti-korrupsion të vendit dhe që kishte hyrë në fuqi më 31 janar 2017. Qytetarët që mbushën rrugët e sheshet besojnë se qëllimi kryesor i këtij dekreti ishte të mbrojë politikanët e akuzuar për korrupsion dhe që janë nën hetimin e gjyqësorit. Për shkak të protestave intensive, dekretin, i cili kishte nisur të përmendej edhe si “amnistia e korrupsionit”, qeveria e tërhoqi me miratimin e parlamentit. Megjithatë, populli vazhdoi të qëndrojë në rrugë.

Qeveria e Sorin Grindeanu, e cila erdhi në detyrë në Rumani në fillim të këtij viti, kishte njoftuar se do të merrte masa për rritjen e mirëqenies. Qeveria Grindeanu, e cila përbëhet nga koalicioni i Partisë Social-Demokratike (PSD) dhe Bashkimi Liberal Demokratik (ALDE), ka premtuar krijimin e vendeve të punës me të ardhura më të mira në mënyrë që qytetarët të mos detyrohen të kërkojnë punë jashtë shtetit. E ndërsa populli priste që qeveria të merrte masa për paga më të larta, për shpenzime më të mëdha publike në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe infrastrukturës, për mbështetje financiare për të rinjtë dhe norma më të ulëta të taksave, u përball me një dekret urgjent dhe shumë të diskutueshëm të qeverisë.  

Dekreti parashikonte amnisti për mijëra njerëz që ishin dënuar me më pak se 5 vite burgim për vepra të caktuara penale. Kryeministri Grindeanu këtë dekret të debatueshëm e argumentoi si të nevojshëm për të reduktuar numrin e madh të njerëzve nëpër burgje. Kurse protestuesit u revoltuan për mos-cilësimin si vepër penale me anë të këtij dekreti të korrupsionit të kryer nga punonjësit e administratës publike me vlerë deri në 47 mijë dollarë. Në qoftë se dekreti, i cili ishte objekti i gjithë atyre protestave, nuk do të tërhiqej prapa nga qeveria, atëherë do të liroheshin një numër i madh i zyrtarëve që gjenden në burg ose nën hetim me akuzën e korrupsionit.

Në mesin e atyre që do të përfitonin nga ky dekret i nxituar i qeverisë ishte edhe kryetari i Partisë Social-Demokrate në pushtet, Liviu Dragnea, i cili me një vendim gjykate në vitin 2015 ishte dënuar me përjashtim nga funksionet drejtuese me akuzën se kishte bërë manipulime në referendumin e 2012-s. Për këtë arsye Dragnea nuk u bë dot kryeministri i ri i Rumanisë. Sipas disa analistëve dekreti urgjent në fjalë i qeverisë do ti hapte rrugën Dragneas për t’u bërë kryeministër i vendit duke i pastruar atij biografinë.   

Për arsye të të gjitha këtyre, dekreti i nxituar i qeverisë rumune zuri vend edhe në agjendën e Komisionit Evropian (KE). Komisioni (KE) e akuzoi Rumaninë për lëshime në luftën me korrupsionin. Ndërkohë që vitet e fundit Rumania kishte marrë masa të konsiderueshme në fushën e anti-korrupsionit. U ngritën hetime ndaj disa personave të fuqishëm, ish-kryeministri Adrian Nastase u dënua për korrupsion. Dhe si rezultat i të gjitha këtyre vendi i Rumanisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Organizatës Ndërkombëtare të Transparencës (Transparency International) brenda 10 viteve të fundit u përmirësua ndjeshëm, aq sa arriti në vendin e 27-të. Ndërsa dekreti i nxituar i qeverisë Grindeanu nuk kishte si të mos ndikonte negativisht procesin anti-korrupsion në vend.  

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis doli kundër këtij dekreti të qeverisë dhe qëndroi pranë protestuesve. Presidenti Iohannis solli në rend të ditës edhe idenë për të shkuar në referendum, me qëllim për të siguruar mbështetjen e popullit në luftën kundër korrupsionit. Në janar Iohannis ishte përplasur me kryetarin e Partisë Social-Demokrate, Dragnea, përse kishte refuzuar që Sevil Shhaideh të bëhej kryeministre e vendit. Kurse tani marrëdhëniet ndërmjet presidencës dhe qeverisë janë tensionuar edhe më shumë, për arsye të solidaritet që Presidenti Iohannis shfaqi me protestuesit në protestat e fundit anti-korrupsion. Reflektimet negative të  të gjitha këtyre zhvillimeve në dialogun presidencë-qeveri në një të ardhme afatgjatë do të jenë të pashmangshme.

Sa do që protestat në Rumani u zhvilluan kundër qeverisë Grindeanu, në fakt ato ishin kundër të gjithë strukturës politike të vendit. Zemërimi ishte kundër të gjitha partive politike që e kanë drejtuar Rumaninë pas viteve 1990 në kushtet e varfërisë dhe nivelit të ulët të mirëqenies. Për këtë arsye nuk duket si shumë e mundshme që protestuesit ti kategorizojmë në të majtë dhe të djathtë.

Ajo që ra në sy në këto protesta ishte pjesëmarrja e madhe e grupeve relativisht më të reja në moshë të shoqërisë, të cilët organizohen përmes medias sociale dhe duan të shikojnë një ndryshim pozitiv në Rumani. Rinia ishte në radhët e para edhe në protestat masive që janë zhvilluar në vitet 2013 dhe 2015 në Rumani. Kështu që është e mundur të hasësh edhe në vlerësime të tilla, që në mesin e të rinjve në Rumani po përjetohet një zgjim politik dhe se protestat mund të sjellin një rrymë të re politike në vend.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ



Lajme të ngjashme