Çela: Territori i Kosovës nuk do të ndryshojë

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës mbajti të premten një konferencë për media, ku ritheksoi se Kosova nuk do të humb asnjë territor me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Çela: Territori i Kosovës nuk do të ndryshojë
Karadağ.jpg

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës mbajti të premten një konferencë për media, ku ritheksoi se Kosova nuk do të humb asnjë territor me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, raporton agjencia turke e lajmeve AA.

Dr. Tomor Çela, zëdhënësi i Komisionit, gjatë fjalimit të tij njoftoi se sot, pas përfundimit të ditës së katërt të diskutimit publik të hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës për pranimin e fakteve dhe argumenteve lidhur me kufirin dhe hapësirën territoriale të Kosovës, do të publikohet edhe raporti final, i cili sipas tij do të përmbajë detajet mbi sipërfaqen e komunave administrative dhe zonave kadastrale të secilës pjesë të Kosovës.

Ai ritheksoi se para datës 25 gusht të vitit 2015, pra para nënshkrimit të Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, territori i Kosovës ka qenë 10 mijë e 908 km katrorë, por që ajo ka pësuar ndryshime të vogla në bazë të obligimeve ndërkombëtare, në radhë të parë nga plani gjithëpërfshirës i Ahtisaarit, Sipas tij ky ndryshim ka ndodhur në tri zona kadastrale në kufi me Maqedoninë, përkatësisht në zonat Dabëlde dhe Restelicë ku ka minus sipërfaqe, dhe në zonën Restelicë ku ka rritje të sipërfaqes.

“Në bazë të gjitha këtyre gjetjeve është vërtetuar se territor i Republikës së Kosovës është 10 mijë e 905. 25 km katrorë", tha Çela.

Përderisa, në një ambient tjetër jashtë Qeverisë, një grupi i ekspertëve po bën prezantimin e fakteve të reja për përcaktimin e vijës kufitare Kosovë - Mali i Zi, Çela tha se të gjithë ata që kanë pretendime dhe argumente lidhur me këtë rast duhet t’i shfaqin ato në sallën e Qeverisë, ku është i ekspozuar i gjithë dokumentacioni i këtij komisioni.

Duke theksuar se çështjet shtetërore nuk duhen shikuar nga koncepti i një politike të ngushtë ditore, Çela tha “Bëj ftesë publike që dokumentacioni zyrtar, argumentet shkencore, faktografia dhe informacionet tjera mos të shpalosen në hollet e restoranteve, hoteleve dhe ambienteve tjera afariste, por të shpalosen aty ku është vendi dhe themeli i shtetit”, tha Çela.

Sipas tij, ky komision në punën e deritanishme ka pasur një shkallë absolute të transparencës dhe të bashkëpunimit me qytetarët e Kosovës dhe shtoi se i gjithë ky proces është vëzhguar nga përfaqësuesit e ambasadës së ShBA-ve, të zyrës së BE-së dhe të KFOR-it.

Së fundi, Çela siguroi se sipërfaqja e territorit të Kosovës do të vazhdojë të mbetet kjo që ka qenë deri më sot, edhe pas ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Ndryshe, ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit, është nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë. Kjo marrëveshje është ratifikuar nga pala malazeze mirëpo ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, për shkak të kundërshtimeve të deputetëve opozitarë, sipas të cilëve me këtë marrëveshje Kosova do të humbë rreth 8 mijë hektarë tokë. Marrëveshjen e demarkacionit e kundërshtojnë edhe deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se nuk janë konsultuar për këtë çështje.



Lajme të ngjashme