Mogherini përshëndet shembjen e murit në Mitrovicë

"Përkushtimi konstruktiv të cilin e kemi parë gjatë dy takimeve të fundit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, sot sjell rezultate", deklaroi Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Mogherini përshëndet shembjen e murit në Mitrovicë

Përkushtimi konstruktiv të cilin e kemi parë gjatë dy takimeve të fundit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, sot sjell rezultate, thuhet në njoftimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me rastin e shembjes së murit kontestues në pjesën veriore të Mitrovicës.

Në njoftim thuhet se çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me shndërrimin e rrugës “Mbreti Petar”, që nga qendra e qytetit shpie drejt urës së Ibrit, në zonë për këmbësorët dhe rihapja e urës në Mitrovicë me sukses u zgjidhën në Prishtinë dhe se implementimi i asaj që është dakorduar menjëherë filloi.

“Kjo do të kontribuojë për lirinë e lëvizjes, kontaktin e drejtpërdrejt mes njerëzve dhe përfundimisht pajtimin, prej të cilit do të kenë dobi qytetarët e Mitrovicës Jugore dhe Veriore”, theksohet në njoftim.

Më tej thuhet se liderët në rajon me shembjen e mureve dhe fokusimin në ndërtimin e urave treguan guxim dhe vizion që është në frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. “Hapja e urës së rivitalizuar të Mitrovicës dhe përfundimi i shndërrimit të rrugës 'Mbreti Petar' në zonë për këmbësorët në të ardhmen e shpejtë do të jetë një arritje e rëndësishme në implementimin e marrëveshjes të arritur për dialogun.

"Përparimi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është më shumë se kurrë me rëndësi të madhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërmjet të dyja palëve dhe në rajon dhe po ashtu është vendimtar në përparimin e tyre drejt BE-së”, thuhet në njoftim, ku theksohet se BE-ja do të vazhdojë me angazhim të fuqishëm, që të lehtësojë dialogun.



Lajme të ngjashme