Kosovë – Arrihet marrëveshja për çështjen e murit në veri të Mitrovicës

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, bëri të ditur në orën 02:00 të ditës së shtunë se është arritur marrëveshja për hapat, që do të ndërmerren në lidhje me murin e ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës...

Kosovë – Arrihet marrëveshja për çështjen e murit në veri të Mitrovicës

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, bëri të ditur në orën 02:00 të ditës së shtunë se është arritur marrëveshja për hapat, që do të ndërmerren në lidhje me murin e ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e Zyrës së BE-së dhe të Ambasadës së SHBA-së, ne, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, kemi rënë dakord që të zgjidhim çështjen, që lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore”, theksohet në njoftimin e përbashkët për shtyp.

Së bashku, vijon njoftimi, ne kemi arritur një zgjidhje, e cila do të ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një ambient të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës.

“Gjatë ditëve në vijim, ne do të njoftojmë publikun me planin e rishikuar për zonën e këmbësorëve, e cila buron nga marrëveshja në kuadër të dialogut të BE-së, që ka të bëjë me projektin e BE-së për urën”, thekson komunikata.

“Ne jemi të vetëdijshëm që çështja ka shkaktuar paqartësi në periudhën paraprake, por jemi kënaqur që të gjithë ne kemi pasur një qasje konstruktive në mënyrë që të përmbyllim këtë çështje në mënyrë të qëndrueshme”, përfundon komunikata e përbashkët.

Muri në Mitrovicë ishte ndërtuar gjatë dhjetorit të vitit të kaluar nga autoritetet lokale në veri të Mitrovicës. Por, sipas Prishtinës zyrtare, ndërtimi i këtij muri ishte ilegal, nënkuptonte ndarjen e Mitrovicës dhe si i tillë kërkohej të rrënohej.

Në 29 dhjetor 2016, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën e harmonizuar nga subjekte të mazhorancës e opozitës, ku kërkohej rrënimi brenda muajit janar të vitit 2017 i murit ilegal të ngritur në dhjetor 2016 nga serbët në veri të qytetit të Mitrovicës, afër urës mbi lumin Ibër.



Lajme të ngjashme