Shqipëri – Fillimi i negociatave të anëtarësimit mbetet për pas zgjedhjeve

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein tha se në terma realiste, negociatat e anëtarësimit mund të fillojnë vetëm pas zgjedhjeve dhe vetëm pas fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi.

Shqipëri – Fillimi i negociatave të anëtarësimit mbetet për pas zgjedhjeve

Ministrja shqiptare e integrimit, Klajda Gjosha, vlerësoi rezolutën për Shqipërinë, miratuar nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian (PE), si një tjetër shtysë e fortë, për të vazhduar punën me të gjitha reformat që mundësojnë luftën e ashpër kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe përmbylljen sa më të shpejtë të reformës zgjedhore.

Janë këto, kriteret kyçe që do të ngrenë standardet e demokracisë në Shqipëri dhe do të çojnë përpara procesin e integrimit, thuhet në një deklaratë për shtyp. Nëpërmjet dialogut konstruktiv dhe vullnetit për konsensus, kjo rezolutë flet qartë për punën e madhe që na pret në vijim, ku të gjithë aktorët duhet të jenë bashkë, duke mos harruar për asnjë çast se kryeagjenda e vendit është: Integrimi në Bashkimin Europian, shprehet ministrja Gjosha.

Thirrja e bërë nëpërmjet kësaj rezolute për hapjen e negociatave, me arritjen e progresit të besueshëm në implementimin e reformës në drejtësi, duhet të na angazhojë edhe më shumë që këtë gjuhë pozitive ta përkthejmë në rezultate të prekshme për qytetarët dhe të ardhmen tonë europiane.

Deklarata e ministres mbyllet me falënderimet për parlamentin europian dhe veçanërisht, eurodeputetin Knut Flackenstein, për mbështetjen e pakursyer ndaj Shqipërisë.

Vlen të përmendet se komisioni i punëve të jashtme të parlamentit europian miratoi Me 52 vota pro, 6 kundër dhe 4 abstenim projekrezolutën e Knut Fleckenstein për Shqipërinë. Raportuesi për Shqipërinë thekson se implementimi i reformës në drejtësi është jetik për Shqipërinë dhe se tashmë nuk mjafton vetëm ana teorike e saj.

Sa i përket çështjes së hapjes së negociatave me qëllim integrimin në Bashkimin Europian, Fleckenstein shprehet se kjo mund të ndodhë pas zgjedhjeve të qershorit.

"...Në terma realiste, negociatat e anëtarësimit mund të fillojnë vetëm pas zgjedhjeve dhe vetëm pas fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi. Sigurisht, nëse zgjedhjet do jenë një katrahurë, asnjë nuk do të hapë negociatat me Shqipërinë. Kjo është e qartë. Duhet të insistojmë për këtë. Unë mendoj, se ka shanse që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, jo me shitblerje të votave, por duke respektuar vullnetin e votuesve...", - tha Fleckenstein.

Pas miratimit në komisionin e jashtëm të Parlamentit Europian (PE) të  amendimeve e përgatitura nga europarlamentarët mbi rezolutën e Raportuesit për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, ka reaguar edhe Tirana zyrtare. 
Për ministrin e jashtëm, Ditmir Bushati projekt-rezoluta është ajo që është përsëritur vijimësisht pas marrjes së dritës së rekomandimit nga komisioni për hapjen e negociatave: progresi në reformën në drejtësi, veçanërisht zbatimi i ligjit të “vetting”-ut është thelbësor për uljen në tryezën e bisedimeve të anëtarësimit
- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme