Rumani - Protestohet lehtësimi i ligjit antikorrupsion, jep dorëheqjen ministri Jianu

Ministri rumun i Punës, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Florin Nicolae Jianu, njoftoi të enjten dorëheqjen në shenjë mbështetjeje ndaj protestave masive kundër një projektligji për amnisti ndaj mijëra të dënuarve me burg dhe për lehtësimin e Kodit Penal...

Rumani - Protestohet lehtësimi i ligjit antikorrupsion, jep dorëheqjen ministri Jianu

Ministri rumun i Punës, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Florin Nicolae Jianu, njoftoi të enjten dorëheqjen në shenjë mbështetjeje ndaj protestave masive kundër një projektligji për amnisti ndaj mijëra të dënuarve me burg dhe për lehtësimin e Kodit Penal të Rumanisë.

Florin Jianu kritikoi masat e kundërshtuara të qeverisë për të zbutur legjislacionin antikorrupsion, që ka shkaktuar manifestime me përmasa të pazakonta në Rumani.

“I jap fund aktivitetit tim qeveritar, sepse kjo është ajo që më thotë ndërgjegjja. Ata që më njohin, e dinë se sa shumë e urrej gënjeshtrën. Jam i qetë në aspektin e ndershmërisë profesionale. Por, kur bëhet fjalë për djalin tim, vendosa që kjo është gjëja më e drejtë për të bërë. Çfarë do t’i them djalit tim pas shumë vitesh? Mos vallë do t’i them që babai i tij është një frikacak, që mbështet veprime të cilave as vetë nuk u beson? Punova me besim dhe bindje të madhe përgjatë detyrës time 28-ditore në qeveri, por kurrë nuk më shkoi në mendje se do të errësohesha nga hija e vrazhdësisë dhe padrejtësisë. Rumania nuk i meriton këto”, shkruan Jianu, 40 vjeç, në rrjetin social “Facebook”.

“Ndoshta ky shembull do t’u shërbejë atyre”, shton ai duke iu drejtuar anëtarëve të qeverisë për origjinën e reformës.

Të paktën 200 mijë persona manifestuan mbrëmjen e të enjtes në Bukuresht dhe në disa qytete të vendit, një rekord që prej rrëzimit të komunizmit, për të dënuar lehtësimin e Kodit Penal, një nismë e Partisë Socialdemokrate (PSD), fituese e zgjedhjeve në dhjetor 2016.



Lajme të ngjashme