Debate për Kosovën në parlamentin e Shqipërisë

“Nëse kufijtë në Ballkan ndryshojnë, atëherë edhe Shqipëria të bashkohet me Kosovën”, - tha deputeti i kuvendit shqiptar, Ben Blushi në seancën e fundit parlamentare të kuvendit të Shqipërisë.

Debate për Kosovën në parlamentin e Shqipërisë

- Shqipëria, Kosova dhe Serbia

Kryetari i partisë Libra, deputeti Ben Blushi në seancën e fundit parlamentare të kuvendit të Shqipërisë sulmoi ashpër politikën e jashtme shqiptare, duke e cilësuar të përbeteuar nga Kryeminstri Edi Rama.

Blushi tha se Serbia ka projekt të qartë ndarjen e Kosovës dhe marrjen e veriut të këtij vendi.

"...Shqipëria është aktori më i dobët sot dhe më i heshtur për atë që po ndodh në Kosovë duke i ndihmuar për fat të keq serbët...".

Më tej, deputeti Blushi tha se nëse në të ardhmen Ballkani me kufij të ri do të kthehet në projekt ndërkombëtar, atëherë më e arsyeshme është bashkimi i Shqipërisë me Kosovën.

"... Ndarja e Kosovës që do të thotë ndryshim kufijsh në Ballkan do të kishte vetëm nën pasojë dhe kjo duhet ti bëhet e qartë BE dhe kujdo. Nëse Kosova ndahet në veri, siç mund të jetë një projekt jo vetëm serb, atëherë pasoja duhet të ishte kjo, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën si pasoja më e arsyeshme dhe e vetme nëse kjo gjë ndodh.

Sigurisht që Shqipëria prej vitesh e ka prioritet të vetin faktin e arsyeshëm se Shqipëria nuk kërkon ndryshim kufijsh në Ballkan dhe se Republika e Kosovës është një Republikë e pavarur, por në kushtet kur kufijtë e saj ndryshojnë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i vetmi rezultat i arsyeshëm dhe i dobishëm për rajonin. Nëse kërkohet një Ballkan i ri, sigurisht ka arsye të ketë dhe një Shqipëri të re.

Kjo nuk është një Shqipëri e Madhe, është dhe duhet të ishte një Shqipëri e re e kërkuar jo nga shqiptarët, e provokuar nga të tjerët. Shpresoj që kjo nuk ka për të qenë një fantashencë. Nëse ka ndryshim kufijsh në Ballkan edhe Shqipëria duhet të ketë rolin e vet pa dyshim.

Parlamenti i Shqipërisë duhet të marrë rol më të madh dhe duhet të jetë më i vëmendshëm lidhur me zhvillimet në rajon, sidomos në Kosovë pasi presioni i kësaj trupe parlamentare do i ndihmonte shqiptarët kudo që jetojnë, sidomos sot në Kosovë që janë nën panik dhe nën një terror psikologjik të kuptueshëm për ti bindur se në qoftëse serbët e veriut të Kosovës që po provokojnë kanë pasur të tyre, shtetin e Serbisë, edhe shqiptarët e Kosovës kanë pas një shtet, ky është shteti sovran dhe i pavarur i Shqipërisë..." - tha deputeti Blushi.

Kjo tezë u mbështet dhe nga ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i cili deklaroi se politika e jashtme shqiptare nuk është e vëmendshme dhe nuk analizon asnjë zhvillim.

"...Kjo është një gjë shumë e rrezikshme, e rrezikshme për mbarë rajonin. Çdo agresion ndaj shqiptarëve do reagojmë si komb i vetëm. Blushi theksoi që nëse ndodh kjo të bashkohet Kosova me Shqipërinë. Jo absolutisht! Të bashkohen të gjitha territoret shqiptare kudo ku janë në Shqipëri.."

Pavarësisht pretendimeve të deputetëve, Ministri i jashtëm, Ditmir Bushati, u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë që në politikën e jashtme të mbajë kursin e Atlantikut të Veriut...

"...Në këto kohë kur fqinjët mund të tentojnë të çiftëzojnë teatralitetin me viktimizmin me politikë të jashtme, Shqipëria do të vijojë të mbetet në kursin e saj, në kursin euroatlantik.Ky kuvend është i lutur të bëjë rezoluta të bëjë më mirë mënyrën si ushtrohet politika e jashtme, por nga kjo foltore është shumë e rëndësishme të ndajmë populizmim me përgjegjësinë që duhet të marrë secili.Skenaret për kufij dhe lufta nuk janë të denja për këtë foltore. Politika e jashtme është e ftohtë dhe fjalën e fundit nuk mund ta themi kurrë të parën...", - tha Bushati.

***

- Të drejtët mes kombeve

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, presidenti Bujar Nishani dekoroi 35 familje dhe individë shqiptarë, të cilët kanë strehuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në këtë veprimtari përkujtimore dhe vlerësimi ishin të pranishëm autoritetet më të larta të shtetit: kryetari i kuvendit, Ilir Meta, nënkryetarja e kuvendit, Valentina Leskaj, deputetë, anëtarë të qeverisë, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri, përfaqësues të komuniteteve fetare, të shoqatës së miqësisë Shqipëri-Izrael, si dhe familjarë të këtyre familjeve shqiptare që strehuan hebrenjtë.

“...Roli dhe kontributi patjetërsueshëm i shqiptarëve në strehimin, mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve gjatë periudhës së errët të Holokaustit të vihet në pah botërisht dhe mbi të gjitha të vlerësohet duke marrë nderimin dhe vendin e merituar në histori...”, deklaroi Presidenti Nishani. 

Gjithashtu kreu i shtetit në fjalën e tij  citoi edhe fjalët e poetit  kombëtar, At Gjergj Fishta, i cili sipas tij e ka portretizuar në mënyrë të përsosur natyrën bujare e mikpritëse të shqiptarit në kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis”, pikërisht në këngën e “Marash Ucit”: “Të huajin me fjalë mos ta poshtëroni, bukën para, por t’ia shtroni, në shqiptari siç është zakoni…”

Presidenti i Republikësi akordoi Dekoratën “Nder i Kombit”“Në vlerësim të aktit heroik e të pashembullt njerëzor për shpëtimin e hebrenjve nga përndjekja naziste në Shqipëri; për rolin dhe kontributin e paçmuar në lartësimin e vlerave të rralla e tradicionale shqiptare të mikpritjes, bujarisë dhe besës si dhe për konsolidimin e harmonisë dhe bashkëjetesës shumëshekullore fetare të kombit tone (shqiptar)...".

Po në nderim të këtyre personave, ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ambasadori i Izraelit në Tiranë, përuruan parkun “Të drejtë midis Kombeve”.
“Ne duam që të ngulisim në vëmendjen kolektive edhe veprimtarinë sublime të paraardhësve tanë në mbështetje jo thjesht të hebrenjve, por disa vlerave të cilat janë të shenjta edhe sot”, tha Bushati.
Për ambasadorin e Izraelit në këto kohë, Shqipëria është një shembull që duhet të ndiqet.
Janë 75 familje dhe individë shqiptarë të cilët ndihmuan hebrenjtë asokoho. Përmes nderimit që u bëjmë atyre që i quajmë të drejtët mes kombeve, ne japim dhe një mësim shumë të rëndësishëm për brezat e ardhshëm. Dëgjojmë tani për një Europë me atomosferë ekstremizimi, e cila mund t’i bëjë ballë përmes vlerave morale, duke marrë shembullin e familjeve shqiptare, të cilat strehuan hebrenjtë”, u shpreh ambasadori Boaz Rodkin.
Më pas, aktivitetet u zhvendosën në Qytetin Studenti, ku u mbajt një konferencë me temë: “Promovimi i të Drejtave të Njeriut përmes lenteve të Holokaustit dhe Kujtesës”. 

***

- Forcat detare shqiptare kthehen nga misioni në detin Egje

21 efektivë të forcave detare shqiptare që ishin pjesë e operacionit të NATO-s në brigjet e Greqisë dhe Turqisë janë rikthyer në Shqipëri.
Në Bazën Detare Pashaliman, Vlorë, u zhvillua ceremonia e kthimit të 21 efektivave të Forcës Detare, pjesëmarrës në operacionin Sea Guardian” në detin Egje.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm zëvendësministri i mbrojtjes, z. Petro Koçi, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Dedë Prenga, komandantë të forcave dhe familjarë të efektivave pjesëmarrës në operacionin “Sea Guardian”.

Në fjalën e tij komandanti i forcës detare gjeneralmajor, Ylber Dogjani falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për shërbimin dhe profesionalizmin që efektivat e kontingjentit të parë treguan gjatë kohës së qëndrimit në zonën e operacionit.

Ndërsa zëvendësministri i mbrojtjes, z. Petro Koçi në fjalën e tij ndër të tjera tha:

“...Ishte një mision i suksesshëm, i cili tregoi dhe njëherë profesionalizmin e detarëve tanë, kurajën, përkushtimin dhe disiplinën e lartë, tregoi edhe njëherë që Shqipëria është një vend dinjitoz anëtar i NATO-s. Ky mision e rriti edhe më tej dinjitetin dhe prestigjin e Republikës së Shqipërisë, si anëtare e NATO-s...”.

Më tej ministri Koci theksoi:

"...Bashkëpunimi juaj me forcat detare të Holandës, Britanisësë së Madhe, apo edhe vetë të Turqisë dhe Greqisë tregoi kapacitetin ndërveprues të forcave tona të armatosura, tregoi edhe një herë që kapacitetet tona operacionale u stërviten edhe më tej, u rritën edhe më tej..."

Duke iu përgjigjur interesit të mediave, komandanti i anijes Oriku kapiten i rangut të III Ilir Çobo, foli për rolin e ekuipazhit shqiptar në këtë mision dhe vështirësitë e hasura atje:

“...Detyra kryesore ka qenë patrullim, menaxhim i ujërave, sigurim i trafikut të lirë, raportim i flukseve migratore dhe bashkëveprim i rojeve bregdetare turke, greke dhe njësitë e NATO që ndodheshin në rajon sepse jemi ndodhur në disa njësi në të njëjtën kohë, në rajone të caktuara për përballimin e këtij fluksi...”.

Roli i efektivave dhe anijes shqiptare në këtë operacion ishte raportimi i trafikut të migrantëve në zonën operacionale dhe ndërhyrja duke ofruar ndihmë në rastet kur konstatohet se jetët njerëzore janë në rrezik. Informacioni i siguruar gjatë patrullimit së bashku me anijet greke, holandeze, turke dhe britanike është shkëmbyer në kohë reale me rojet bregdetare greke dhe turke, si dhe misionin e Bashkimit Europian Frontex në detin Egje, në interes të parandalimit të fluksit të refugjatëve dhe emigrantëve.

***

- Ministrja Ekonomi në Stamboll, fton bizneset turke për të investuar në Shqipëri

Ministrja e zhvillimit ekonomik, turizmit, tregtisë dhe sipërmarrjes e Shqipërisë, Milva Ekonomi ftoi bizneset turke të investojnë në Shqipëri, gjatë një forumi ekonomik mes dy vendeve, që u zhvillua në Stamboll në 27-28 Janar 2017.

“Turqia ka qenë dhe mbetet partner strategjik për Shqipërinë në rajon dhe më gjerë. Por marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë garanton një bazë të mirë ligjore për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare dhe për të rritur potencialet për investime të reja”, tha Ekonomi në fjalën e saj në këtë forum. Ajo shtoi se aktualisht janë 453 biznese turke që operojnë në Shqipëri, në disa sektorë të ekonomisë, kryesisht në sektorin bankar, telekomunikacion, edukim, shëndetësi dhe sektori i energjisë. Ndërsa stoku i investimeve direkte turke në tremujorin e tretë të 2016 ishte 485 mln euro krahasuar me 451 milion euro për të njëjtën periudhë të 2015.

Ministrja përmendi disa sektorë potencialë ku mund të investohet si energjia, minierat, turizmi, bujqësia, transporti, inovacioni etj. Kryesisht në sektorin e turizmit, ajo ftoi bizneset turke që të vijnë dhe të implementojnë modelet e tyre të suksesit, veçanërisht në industrinë e strukturave akomoduese.

***

- PS e LSI kundër komisionit të posaçëm për tragjedinë çame...

Kërkesa e PDIU-së për ngritjen e një komisioni hetimor të posaçëm në lidhje me tragjedinë çame nuk është shtyrë për javën e ardhshme.

Ky është vendimi i Konferencës së kryetarëve i cili ka vendosur që më parë të bëhen konsultime.

PS ishte kundër kërkesës së PDIU për ngritjen e Komisionit Hetimor.

Edhe LSI ka qenë kundër me pretendimin:"Nuk është në juridiksionin tonë dhe nuk ka kohë për komisionin. Hetimi i genocidit është hetim penal, e bën një gjykatë”

Ndërsa, PD nuk mban asnjë qëndrim, e konsideron çështjen brenda koalicionit.

Kërkesa është paraqitur në kuvend më datën 20 dhjetor të vitit 2016 dhe sipas një deklarate të deputetes Mesila Doda, të bërë, më 14 janar 2017, ka theksuar:

"...Ky ka të bëjë me depozitimin e kërkesës për ngritjen e një komisioni të posaçëm të kuvendit të Shqipërisë për evidentimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të shpërnguljes me dhunë dhe masakrës mbi shqiptarët e çamërisë të vitit 1944. Kërkesa e depozituar nga PDIU ka për objekt dhe qëllim zbardhjen tërësore të këtyre fakteve dhe rrethanave...".

Gjithashtu deputetja Doda ka deklaruar se ky komision është i nevojshëm për të hedhur dritë mbi krimet ndër vite ndaj komunitetit shqiptar çam.

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme