UNESCO mbështet mbrojtjen e Liqenit të Ohrit

Projekti “Drejt një qeverisjeje të përbashkët të trashëgimisë natyrore dhe kulturore ndërkufitare të rajonit të Liqenit të Ohrit” përqendrohet si në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ashtu dhe në atë të natyrës.

UNESCO mbështet mbrojtjen e Liqenit të Ohrit

Projekti “Drejt një qeverisjeje të përbashkët të trashëgimisë natyrore dhe kulturore ndërkufitare të rajonit të Liqenit të Ohrit”, që zbatohet nga UNESCO dhe financohet nga Bashkimi Evropian dhe Ministria shqiptare e Mjedisit, përqendrohet si në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ashtu dhe në atë të natyrës.

Projekti synon që të vërë në dukje vlerat e shumta të kësaj zone, por edhe trajtimin e kërcënimeve kryesore me të cilat ato përballen, përmes një qasjeje të zhvillimit të qëndrueshëm.

Ekspertët lokalë dhe ndërkombëtarë po punojnë së bashku në kuadër të projektit “Drejt një qeverisje të përbashkët të trashëgimisë natyrore dhe kulturore ndërkufitare të rajonit të Liqenit të Ohrit”. Sfida për këta ekspertë që po punojnë së bashku në këtë zonë, është të gjejnë produkte alternative turizmi në brigjet shqiptare të Liqenit si dhe të kombinohen me elementët kulturorë për një turizëm të qëndrueshëm.

Liqeni i Ohrit, një nga liqenet më të vjetër të botës, që ndodhet në Evropën Juglindore, konsiderohet një nga rezervat më të mëdha të biodiversitetit dhe njëkohësisht një nga vendbanimet më të vjetra njerëzore në kontinent. Kombinimi i vlerave të dukshme natyrore, me cilësinë dhe diversitetin e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore e bëjnë këtë rajon vërtet unik.

Dy të tretat e Liqenit të Ohrit, pjesa maqedonase e Liqenit, është futur tashmë në Listën e Trashëgimisë botërore të UNESCO-s, si një pasuri mikse e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore e rajonit të Ohrit. Tashmë ka ardhur koha të bashkohen gjithë përpjekjet për ta shtrirë stuatusin e Trashëgimisë Botërore në pjesën e mbetur të Liqenit, një e treta, që ndodhet në territorin shqiptar.
Pjesa maqedonase e liqenit të Ohrit është shpallur si trashëgimi natyrore që në vitin 1979. Shqipëria pritet që ta ketë gati dosjen në mesin e vitit 2017.

Projekti “Drejt një qeverisjeje të përbashkët të trashëgimisë natyrore dhe kulturore ndërkufitare të rajonit të Liqenit të Ohrit”, është projektuar për të adresuar të gjithë faktorët kryesore që prekin rajonin përmes identifikimit dhe ruajtjes së aseteve kryesore natyrore dhe kulturore të liqenit, si dhe përmirësimit të bashkëpunimit e menaxhimit ndërkufitar.

Përpjekjet e rajonit për të balancuar ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm janë përcaktuar në marrëveshjen dypalëshe të vitit 2005, të firmosur mes dy vendeve Shqipëri-Maqedoni, për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e qëndrueshëm të Liqenit të Ohrit dhe pellgut ujëmbledhës të tij.

Projekti është i koordinuar nga UNESCO, në partneritet me autoritetet e dy vendeve dhe tre bordet këshillimore të Komitetit të Trashëgimisë botërore (ICOMOS, IUCN dhe ICCROM), financohet nga BE (1 700 000 euro) dhe nga Qeveria e Shqipërisë (170 000 euro). Aktivitetet kryesore të Projektit përfshijnë: (i) përforcimi i bashkëpunimit ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë; (ii) Krijimi i mekanizmave të menaxhimit të integruar; (iii) Ngritja e kapaciteteve për menaxhim efektiv; Aktivitetet gjithashtu kanë synim të identifikojnë dhe ruajnë asetet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, të sigurojnë ndihmën teknike për autoritetet kombëtare për përgatitjen e dosjes së zgjerimit të pasurisë ndërkufitare të Trashëgimisë botërore, dhe zbatimin e një fushate ndërgjegjësimi për menaxhimin e mbetjeve.

 



Lajme të ngjashme