Mogherini: Palët dëshmuan vendosmëri për zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi

Në Bruksel ka përfunduar të martën vonë, pa ndonjë vendim konkret, takimi i udhëheqësve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, i mbajtur me ftesë të shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini...

Mogherini: Palët dëshmuan vendosmëri për zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Federica Mogherini, deklaroi në orët e vona të mbrëmjes së të martës se normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është esencial dhe shumë i rëndësishëm edhe për Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë për shtyp, Mogherini thekson se “presidentët Tomislav Nikoliç dhe Hashim Thaçi dhe kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiç u bashkuan në një takim të nivelit të lartë në dialogun për normalizim marrëdhëniesh mes Beogradit dhe Prishtinës”.

“Dua t’i falënderoj për takimin e hapur dhe shumë konstruktiv që patëm. Ata diskutuan lidhur me zhvillimet e fundit, dhe u morën vesh që të lënë tensionet prapa e të punojnë së bashku. E ritheksova se progresi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është esencial, për Kosovën dhe Serbinë, për Bashkimin Evropian dhe për regjionin e Ballkanit Perëndimor. Avancimi i dialogut është çelës për lëvizjen përpara të të dy palëve drejt Bashkimit Evropian”, nënvizoi Mogherini.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, tha se jam e inkurajuar nga lidershipi, vizioni, vendosmëria dhe angazhimi i treguar nga liderët politikë sot për të adresuar zgjidhjen e problemeve të përbashkëta përmes dialogut.

Të dyja palët”, vijoi ajo, u pajtuan që dialogu të vazhdojë në respekt, bashkëveprim dhe kuptim të ndërsjellë.

“Diskutimet mes palëve do të intensifikohen ditëve në vijim. Kemi vendosur që të kemi një seri të takimeve të Dialogut të nivelit të lartë, duke nisur nga ditët në vijim”, tha Mogherni.

Mogherini falënderoi presidentët dhe kryeministrat për sinqeritetin dhe angazhimin e fuqishëm në dialog.

“Tani do të punojmë bashkë drejt konstruktivitetit dhe konkretisht për të sjellë dobi për të gjithë njerëzit në Serbi dhe në Kosovë, duke avancuar konkretisht rrugët e tyre drejt Evropës. Unë si ndërmjetësuese e Dialogut do të vazhdoj të jem e përfshirë personalisht në përkrahjen e implementimit të plotë të dalë nga takimi i sotëm, i marrëveshjeve të arritura dhe të progresit të ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve të të dyja palëve”, përfundoi Mogherini.



Lajme të ngjashme