Analizë - Reflektimet e zhvillimeve brenda BE-së në Ballkanin Perëndimor

Disa tensione politike të javëve të fundit në rajon dëshmojnë qartë se vonesa e tepruar në procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE mund ta zvarritë këtë rajon drejt një të ardhmeje të paqartë.

Analizë - Reflektimet e zhvillimeve brenda BE-së në Ballkanin Perëndimor

Media evropiane po debaton mbi strategjinë e shpallur nga kryeministrja Theresa May në lidhje me largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja. Në fjalimin që mbajti më 17 janar, May tha se vendi i saj nuk mund të mbetej pjesërisht anëtar i BE-së, duke shtuar se Anglia ka ndërmend të largohet edhe ngaTregu i Përbashkët. Vendimi i Britanisë për të dalë nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor ishte një lajm i keq që në fillim. Për sa i përket psesë, Brukseli filloi ta nxjerrë procesin e zgjerimit të BE-së nga prioritetet e veta për shkak të faktorëve të tillë si: kriza e refugjatëve, kërcënimet e sigurisë, problemet ekonomike dhe rritja e ekstremit të djathtë. A do ta harrojë Ballkanin Perëndimor BE-ja, e cila në vitet që kemi përpara do të fokusohet më shumë në formësimin e marrëdhënieve të brendshme dhe institucioneve të përbashkëta?

Pavarësisht faktit që BE-ja po kalon një periudhë me probleme serioze, gjatë vitit 2016 edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe BE-ja bënë përpjekje për ta vazhduar procesin e zgjerimit dhe për të shënuar progres në këtë drejtim. Edhe vendet kritike të BE-së, si: Gjermania me Francën vazhduan ti japin mbështetje të plotë anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Për më tepër, liderët e BE-së në samitin e Ballkanit Perëndimor, mbajtur në Paris më 4 korrik 2016, e ripohuan edhe një herë angazhimin e tyre për të mbështetur zgjerimin.

Besohet në sinqeritetin e liderëve evropianë, të cilët thonë se dera e anëtarësimit në BE do të jetë e hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor. Vetëm se qytetarët e BE-së duke qenë të përqendruar në ato që po ndodhin brenda Unionit, nuk i kushtojnë shumë vëmendje procesit të zgjerimit. Kjo është edhe ajo që i shqetëson liderët e Ballkanit Perëndimor. Sepse anëtarësimi në BE vazhdon të mbetet opsioni i vetëm strategjik për qeveritë e Ballkanit Perëndimor. Në të vërtetë, në të gjitha zgjedhjet që mbahen në vendet e Ballkanit Perëndimor, rreth dy të tretat e votave shkojnë për partitë/koalicionet që mbrojnë anëtarësimin e vendit të tyre në BE.

Përveç BE-së, nuk ka aktorë të tjerë që të ofrojnë një opsion të integrimit ekonomik dhe politik, i cili mund të jetë alternativ për Ballkanin Perëndimor. Në rast të dobësimit të BE-së, kjo do të linte një hapësirë të volitshme për forcimin e aktorëve të tjerë në Ballkanin Perëndimor. Por e vërteta është se aktori i vetëm që ka një strategji afatgjatë për Ballkanin Perëndimor është BE-ja.

Përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për t'u anëtarësuar në NATO dhe BE janë të lidhura ngushtë edhe me politikën e jashtme që do të ndjekë Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Danëlld Tramp (Donald Trump), i cili detyrën zyrtare e mori me betimin që bëri të premten e kaluar. Vazhdon të mbetet ende e paqartë se çfarë vendi do të zërë ShBA-ja në botë dhe si do të jenë marrëdhëniet e saj me vendet e tjera gjatë presidencës Tramp. Por kur bëhet fjalë për Ballkanin, nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim të madh në qëndrimin amerikan ndaj këtij rajoni. Ballkani Perëndimor është një rajon shumë i vogël për të ngjallur interes të veçantë tek presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni do të vazhdojë të interesohet me çdo gjë që ndodh në Ballkanin Perëndimor. Por është e mundur të parashikohet se ShBA-ja nuk do ta ndryshojë politikën e saj ndaj këtij rajoni dhe se do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në institucionet euro-atlantike. Për këtë arsye, BE-ja do të vazhdojë të luajë një rol udhëheqës në Ballkan.

Por megjithatë, procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE mund të përballet me disa pengesa të përkohshme për shkak të vendimit të Britanisë së Madhe për të dalë nga BE-ja dhe të problemeve të tjera politike dhe ekonomike që ka vetë BE-ja. Në përgjithësi, procesi i zgjerimit të BE-së mund të ngadalësohet. Por sidoqoftë, qeveritë e Ballkanit Perëndimor në qoftë se duan standarde më të mira dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët e tyre, duhet të vazhdojë me reformat e orientuara nga BE. Përndryshe, në qoftë se i ngadalësojnë reformat, atëherë mund të ndikohet negativisht stabiliteti në rajon, cilësia e demokracisë dhe efektiviteti i institucioneve. 

Është një fakt i njohur se Ballkani Perëndimor vazhdon të përballet me probleme serioze. Normat e ulëta të rritjes ekonomike, normat e larta të papunësisë, standardi i ulët i jetesës, emigracioni i pandalshëm i trurit, tensionet e brendshme politike, problemet në marrëdhëniet dypalëshe, ekstremizmi ideologjik në rritje dhe krimi i organizuar vazhdojnë të paraqesin kërcënim për stabilitetin rajonal. Për këtë arsye, vonesa e tepruar e procesit të anëtarësimit në BE mund ta zvarritë Ballkanin Perëndimor drejt një të ardhmeje të paqartë. Këtë e dëshmojnë qartë edhe disa tensione politike që kanë ndodhur në rajon gjatë tre javëve të fundit.

Megjithatë, në vend të skenarëve negativë, vëmendja duhet përqendruar në zhvillimet premtuese, tek ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve të fundit. Siç është parë edhe në disa ngjarje të kohëve të fundit, ulje-ngritjet në marrëdhëniet dypalëshe do të ekzistojë gjithmonë në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, nuk duhet nënvlerësuar se bashkëpunimi rajonal dhe procesi i anëtarësimit në BE, të cilët përforcojnë njëri-tjetrin, kanë përmirësuar kapacitetin që ka zhvilluar Ballkani Perëndimor për të kapërcyer vështirësitë. Për këtë arsye, është e mundur të thuhet se në një të ardhme afatgjatë, Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të stabilizohet. Për sa kohë që BE-ja nuk i kthen shpinën Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi në NATO dhe BE për qytetarët e këtij rajoni do të vazhdojë të jetë një objektiv i dëshiruar dhe një e ardhme tërheqëse.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ



Lajme të ngjashme