Rama: Njohja e Kosovës e shpëton Serbinë nga e “shkuara”

Serbia do ta vuajë atë të shkuar si makth deri kur ta njohë Kosovën dhe vetëm duke e njohur do të shpëtojë nga ai makth, ka reaguar Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për dërgimin e trenit nga Beogradi në Kosovë.

Rama: Njohja e Kosovës e shpëton Serbinë nga e “shkuara”

Kryeministri shqiptar Edi Rama e cilësoi, dërgimin e trenit nga pala serbe për në Kosovë si manovër politike për hesape politike.

Kreu i qeverisë u shpreh se hesapi i lirisë e pavarësisë së Kosovës është një fakt i kryer.

Provokimi i serbëve nëpërmjet një treni, për kryeministrin Rama ka ardhur si pasojë e makthit që ka Serbia nga Kosova, makth i cili sipas tij do të marrë fund vetëm me njohjen e pavarësisë.

Ka mbaruar ajo punë, Kosova është shtet, nuk është krahinë e Jugosllavisë e me Serbinë e lidh vetëm ndërtimi i të ardhmes së fqinjësisë mes dy shteteve, jo e shkuara rrënuese e serbomadhnisë! Serbia do ta vuajë atë te shkuar si makth deri kur ta njohë Kosovën dhe vetëm duke e njohur do të shpëtojë nga ai makth (që e shtyn hera – herës në marrëzira si kjo puna e trenit); ndërsa serbët e Beogradit në Kosovë veç si turistë do të vijnë një ditë, po si zot të vendit s’vijnë dot më kurrën e kurrës. Këto lojërat me trena e me aeroplanë janë manovra politike, për hesape politike, po hesapi i lirisë e pavarësisë se Kosovës është kry”, ka deklaruar Rama në rrjetin e tij social. 

Ndësa, kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati ka reaguar në lidhje me deklaratat dhe qëndrimet më të fundit nga ana e krerëve të Serbisë.

Ministri Bushati thotë se kjo retorikë nuk çon asgjëkundi dhe se zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë vetëm përmes dialogut.

2017 zbriti me këmbën e gabuar për Europën Juglindore. Fantazitë e egra të liderëve luftënxitës të Serbisë irrituan njësoj Europën, shqiptarët dhe serbët. Në përvjetorin e masakrës nga ana e Serbisë në Raçak, Kosovë, kjo mbrojtje e agresionit është e papërgjegjshme dhe e turpshme”, deklaron ministri Bushati.

***

Takime bilaterale midis ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Malit të Zi...

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka pritur gjatë javës që kaloi homologun malazez Serdjan Darmanoviç, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe.
Në fjalën e tij, ministri Bushati ka vlerësuar se, bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira dypalëshe mund të shërbejnë si eksperiencë edhe për marrëdhënie me shtete të tjera në Ballkan. 
“Kemi diskutuar për fuqizimin e marrëdhënieve, sepse është në interesin e dy qeverive tona për t’i dhënë fuqi këtij zhvillimi, sidomos për modernizimin e pikave kufitare”, ka thënë Bushati. 
Gjithashtu, në fokus të diskutimeve, sipas shefit të diplomacisë shqiptare, ka qenë edhe bashkëpunimi brenda kuadrit të NATO-s. Në këtë drejtim ai ka theksuar se, “Shqipëria ka qenë një vend mbështetës për Malin e Zi”. 
“Përshëndesim koalicionin qeverisës në Malin e Zi dhe platformën qeverisëse, pasi është në mbështetje të shqiptarëve të Malit të Zi”, ka thënë më tej Bushati. 

Nga ana e tij, ministri Darmanoviç ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen në procesin e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe sikurse Bushati është shprehur i gatshëm për avancimin e marrëdhënieve reciproke. 
“Vlerësojmë mbështetjen e Shqipërisë për në NATO. Anëtarësimi është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit. Jam i kënaqur të them se ne po i avancojmë marrëdhëniet”, ka thënë Darmanoviç.
Ai ka shtuar se, Mali i Zi pret të bëhet anëtar me të drejta të plota i Aleancës brenda fundit të vitit.

Nga ana tjetër, akuzat e homolgut të tij serb Ivica Daçiç, se thelbi i politikës shqiptare është krimi kundër serbëve dhe se këto politika po nxisin, sipas tij, sulme ndaj ambasadave të Serbisë pas arrestimit të Ramush Haradinaj, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i ka cilësuar si viktimologji të kombinuara me teatralitet, të cilat nuk prodhojnë asgjë.

Në takim me homologun e tij malazez, Bushati ka prekur dhe çështjen e pazgjidhur mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, atë të përcaktimit të kufirit detar mes dy vendeve.

“...Ne kemi marrë një propozim nga Mali i Zi për t’u përfshirë në këtë proces dhe jemi të gatshëm që në kohë të përshtatshme të ulemi dhe të fillojmë diskutimet në mënyrë që kjo çështje të adresohet...”, deklaroi Bushati.

Ndërsa ministri malazez, Sergjan Darmanoviç, i pyetur mbi çështjen e demarkacionit me Kosovën, ka theksuar se nuk e sheh atë si një problem mes dy vendeve.

“...Ne e kemi bërë pjesën tonë. Kemi vepruar në përputhje me traktatet dhe të drejtat ndërkombëtare. Kështu që problemin e krijuar me demarkacionin ne e shohim më shumë si një çështje të brendshme politike të Kosovës dhe mesa dimë, ata nuk kanë probleme me ne. Ne nuk e kushtëzojmë Kosovën në asnjë formë për këtë çështje. Ne jemi të durueshëm dhe duhet të presim që forcat politike në Kosovë të gjejnë një mënyrë se si të zgjidhin këtë çështje...”, - deklaroi Darmanoviç.

***

Shqipëria e interesuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit...

Ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati në një prononcim publik ka deklaruar se është për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe se roli i Tiranës nuk lidhet në asnjë rast me skenarët  e mundshëm për krjimin e qeverisë në Maqedoni.

Për ministrin e jashtëm, Tirana do të vijojë të mbështesë çdo proces që siguron demokraci dhe stabilitet në Maqedoni dhe nënvizon se Shqipëria nuk ka ndërhyrë aspak në punët e brendshme të shtetit fqinj e mbi të gjitha nuk ka asnjë interes për koalicionet. 
“Shqipëria është neutrale përsa i përket mënyrës sesi mund të formësohen koalicionet në Maqedoni, është një përgjegjësi totalisht e partive, të cilat janë të përfaqësuara në parlamentin e Maqedonisë. Për ne, rëndësi ka mbështetja e kësaj platforme e cila vjen si produkt i partive parlamentare shqiptare në Maqedoni”, deklaron kryediplomati shqiptar.
Sa i përket zbatimit të platformës së nënshkruar nga partitë shqiptare, Bushati thekson se ky është momenti i duhur që ata të bëheshin bashkë.
“...Barazia, liria dhe demokracia si tre elemente themelore të Marrëveshjes së Ohrit nuk janë zbatuar në mënyrën e duhur, apo në atë mënyrë siç parashikonte Marrëveshja e Ohrit, çka të lë një përshtypje apo shije të hidhur që kemi të bëjmë me dy komunitete, që në fakt janë shtetformues, sllavo-maqedonasit dhe shqiptarët, të cilët pak komunikojnë me njëri-tjetrin. Besoj se ky është momenti i artë për faktorin politik shqiptar për t’u bërë së bashku dhe për të avancuar këto çështje...”, ka deklaruar Bushati.

Mirëpo, përdorimi i termit “sllavo-maqedonas” nga ministri Bushati nuk është pritur aspak mirë nga homologu i tij në Shkup, Nikola Poposki.
“Mënyra sesi dikush përdor një term të caktuar është ndoshta reflektimi i respektit dhe edukimit të tij. Ne jemi maqedonas dhe asgjë më shumë e asgjë më pak. Asnjë demokrat nuk do të ndiejë nevojën për të na etiketuar në një kontekst fisnor. Sot, Europa ka nevojë për një fjalor kulturor të 2017-s, e jo të 1913-s”, është shprehur Poposki për mediat në Maqedoni.

***

Në Tiranë, protestë në mbështetje të Ramush Haradinajt...

Forumet rinore të partive kryesore politike në Shqipëri, të mbështetura edhe nga disa organizata të shoqërisë civile kanë organizuar para pak ditëve një protestë para ambasadës së Francës në Tiranë, në mbështetje dhe për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pjesë e protestës ishin edhe qytetarë të Tiranës, të cilët kërkuan lirimin e menjëhershëm të ish-kryeministrit të Kosovës, i cili është arrestuar disa ditë më parë nga autoritetet franceze.

Në këtë protestë mbajtën fjalime drejtuesit e forumeve rinore politike të Partisë Socialistë të Shqipërisë, Partisë Demokratike të Shqipërisë, etj.

Eljo Hyska, kryetari i forumit rinor eurosocialist të Shqipërisë, u shpreh së janë bashkuar në këtë protestë për një kauzë të drejtë. "Sot ne kemi një kërkesë të drejtë dhe legjitime, lironi një njeri që ka luftuar për lirinë, që ka luftuar për drejtësinë, që drejtësinë e tij e ka marrë në shkallën më të lartë. Fqinjët tanë të çlirohen nga e shkuara, të çlirohen nga përpjekja për të përbaltur luftën e UÇK-së", u shpreh ai.

Ndërsa kryetari i forumit rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Belind Këlliçi, iu bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të ushtrojnë ndikimin e tyre për të anuluar urdhërarrestin e Serbisë për Haradinajn.

"Më vjen mirë që sot jemi bashkë të gjithë drejtuesit e forumeve rinore politike në vend të bashkuar për një kauzë të drejtë. Të arrestosh Ramush Haradinajn është njësoj sikur ti shpallësh luftë një populli të tërë, një kombi të tërë. Ai është shpallur i pafajshëm për akuzat", theksoi Këlliçi.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, më 4 janar u ndalua nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit bazuar në një urdhërarresti të Serbisë të lëshuar në vitin 2004.

***

Kreu i bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj, është nderuar nga presidenti amerikan Barak Obama, me çmimin “Lider botëror për paqe”...

Kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, baba Edmond Brahimaj është vlerësuar nga presidenti amerikan, Barak Obama me një çmim si lider botëror që ka kontribuar për paqen dhe tolerancën.

Gjatë aktivitetit të organizuar në Kryegjyshatë, baba Edmond Brahimaj tha se ndjehet i nderuar për këtë çmim, ndërsa bëri apel për tu bashkuar të gjithë  në luftën kundër terrorizmit:

"... Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që egërsia me të cilën na godet terrorizmi në shkallë botërore pavarësisht duarve që ai përdor nuk mund të luftohet vetëm me konferenca sllogane. Duhet të konsolidojmë institucionet e solidaritetit brenda familjes, brenda dashurisë së njëri-tjetrit, duke vlerësuar diversitetin si shtytje për të ecur përpara dhe jo për tu hakmarrë ndaj njëri-tjetrit...".

Edhe përfaqësuesi i ambasadës amerikane në Tiranë vlerësoi kontributin e kryegjyshit botëror në promovimin e tolerancës fetare.

“...Mesazhi që po hapet nga komuniteti bektashian dhe nga ju baba Mondi është mesazhi i paqes dhe harmonisë dhe sidomos për mua si një i huaj është mesazhi i mirëpritjes. Faleminderit për këtë...”.

Çmimi për Baba Edmond Brahimaj ishte një iniciativë e misionit diplomatik për paqe dhe prosperitet, zyra qendrore në Tiranë në bashkëpunim me shqiptarët që jetojnë në ShBA.

***

Shfaqet në Shkodër filmi dramatik turk me titull:"Bota ime"...

Instituti turk "Junus Emre" ka rikthyer traditën e kinematografisë turke në qytetin e Shkodrës. Në fundjavën e kaluar është shfaqur një film dramatik me titull: "Bota ime". Ashtu siç kishte vite që nuk ndodhte, salla e kinema "Millenium" ishte mbushr plot me pjesëmarrës të moshave të ndryshme për të ndjekur filmin të realizuar mjaft mirë artistikisht, po ashtu edhe nga ana e përmbajtjes.

Prodhimet e viteve të fundit të kinematografisë turke kanë zënë një vend të veçantë në hapësirën televizive shqiptare, ndaj aktorët me rolet e tyre në këtë film nuk ishin të panjohur për publikun.

Kjo nuk është hera e parë që instituti turk "Junus Emre" kontribuon në jetën artistike të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, duke organizuar aktivitete të larmishme dhe duke shfaqur pjesë argëtuese për publikun shqiptar.

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben Halluni, Shqipëri -



Lajme të ngjashme