Policia e Shtetit shqiptar përkujton 104-vjetorin e themelimit

Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë në fjalën e mbajtur me rastin e 104-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit e ka cilësuar këtë institucion si më të besuarin nga qytetarët.

651388
Policia e Shtetit shqiptar përkujton 104-vjetorin e themelimit
Arnavutluk Devlet Polisi 104 yıl kutlamaları_01.jpg
Arnavutluk Devlet Polisi 104 yıl kutlamaları_03.jpg

Në 104-vjetorin e krijimit të policisë së shtetit janë bërë bashke drejtues të lartë të policisë, deputetë, gjykatës dhe prokurorë.

Ministri i punëve të brendshme, Sajmir Tahiri ka shprehur mirënjohjen për të gjithë punonjësit e policisë ndër vite, kontributin e tyre për atë çfarë kanë krijuar deri më sot, ka falënderuar të gjithë partnerët e policisë së shtetit që kanë asistuar në punën e saj si prokuroria, misionet ndërkombëtare ICITAP, PAMECA dhe të gjithë punonjësit e policisë për përkushtimin dhe përgjegjësinë duke e kthyer institucionin e policisë, institucionin më të besuar për qytetarët.

“Në këtë 104 vjetor dua të falënderoj të gjithë ata që kanë shërbyer ndër vite në policinë e shtetit. Shpreh të gjithë mirënjohjen tonë për të gjithë ata burra dhe gra që ndër vite kanë punuar në policinë e shtetit dhe kanë krijuar një standard shërbimi për të cilin ne sot kemi angazhimin për ta bërë policinë shumë më të mirë, duke i shërbyer shumë më mirë qytetarëve. Dua të falënderoj të gjithë punonjësit e policisë burra, gra, djem, dhe vajza që sot shërbejnë në policinë e shtetit, duke qenë më krenarë për atë që bëjnë e duke pasur një përgjegjësi më të madhe për shkak të besimit më të madh të publikut. Në këtë 104-vjetor policia është institucioni më i besuar nga qytetarët shqiptarë. Dhe kjo është pa asnjë dyshim një përgjegjësi shumë më e madhe për të punuar më shumë, për të respektuar më shumë sakrificën e atyre që shërbejnë në policinë e shtetit, por mbi të gjitha për të respektuar çdo qytetar që investon besim te policia e shtetit dhe me plot të drejtë pret shërbim nga ne”, - tha Tahiri.

Në fjalën e tij drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka theksuar se rruga e policisë për të arritur deri këtu ka pasur shumë vështirësi e sfida, kontribut të padiskutueshëm të punonjësve të policisë ndër vite:

“Sot është një nga ato ditë të veçanta ku ne i vlerësojmë dhe i promovojmë këto kontribute këtë përkushtim dhe pasion, por edhe nuk harrojmë asnjëherë të kujtojmë, sakrificën e njerëzve tanë ndër vite, të cilët nuk kursyen as jetën e tyre në luftën ndaj krimit. Sot policia e shtetit ofron më shumë shërbime, zotëron më shumë mjete dhe teknologji të avancuar, ka një staf më të trajnuar dhe të motivuar për t’i shërbyer me cilësi dhe në kohë të gjitha kërkesave të komunitetit si dhe të ofrojë më shumë siguri për të gjithë. Lufta pa kompromis ndaj krimit të organizuar, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, trafiqeve të paligjshme kanë qenë prioritet kryesor i policisë shtetit.

Suksesi i kësaj lufte është bërë i mundur në saj të përkushtimit, angazhimit dhe vetëmohimit të çdo punonjësi të policisë, të cilat na kanë bërë krenarë, por edhe njëkohësisht të ndërgjegjshëm se kemi akoma shumë për të bërë, për të arritur standarde më të larta evropiane”.

Vlen të përmendet se policia e shtetit shqiptar është ndihmuar dhe ndihmohet herë pas here nga shteti turk me logjistikë, me pajisje dhe me trajnimebrenda dhe jashtë Shqipërisë. Rasti i fundit ishte ndihma përmes një ceremonie zyrtare në Tiranë, ku u prezantuan uniformat e reja të policisë së shtetit shqiptar, dhuratë nga qeveria e Turqisë.

Në përfundim Ministri i Punëve të Brendshme ka akorduar 5 medalje, nga këto 2 “Medalje Nderi” për dy Drejtues të Lartë të Policisë së Shtetit dhe 3 “Medalje Trimërie për 3 punonjës të strukturës bazë.

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben Halluni, Shqipëri -



Lajme të ngjashme