Ballkani dhe një pjesë e Evropës nën pushtimin e të ftohtit polar

I ftohti polar ka kapluar ditëve të fundit të gjithë Ballkanin, Turqinë dhe një pjesë të Evropës, ku temperaturat kanë zbritur deri në minus 30 gradë Celsius duke shkaktuar edhe viktima...

Ballkani dhe një pjesë e Evropës nën pushtimin e të ftohtit polar

Në malet e Bosnjë-Hercegovinës u shënuan temperaturat më e ulta në Ballkan, në minus 27 gradë Celsius.

Vala e të ftohtit pushtoi edhe brigjet e Detit Adriatik. Në qytetin kroat, Split, temperatura e ajrit është minus shtatë gradë, e cila është temperatura më e ulët në 50 vitet e fundit. Rekordi paraprak është prej 23 janarit të vitit 1963, kur në Split janë matur minus nëntë gradë Celsius.

Për shkak të temperaturave të ulëta dhe stuhive të fuqishme, deti ka ngrirë deri në Gadishullin e Shën-Pjetrit.

Në rajonin e Makarska, tashmë dita e tretë, po fryn erë me shpejtësi prej 90 kilometra në orë, ndërsa temperatura ka zbritur deri në minus shtatë gradë.

Temperatura të ulëta janë shënuar edhe në Greqi. Në Selanik, të shtunën në mëngjes ishte minus shtatë gradë, ndërsa për të dielën parashikohet minus 10 gradë. Në Athinë, temperatura është rreth zeros, ndërsa në pjesët veriore të vendit janë matur minus 15 gradë.

Në Turqi, reshjet e borës bllokuan Stambollin, rreth 500 fluturime ajrore janë anuluar  për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ndërsa është ndërprerë edhe komunikacioni ujor. Për shkak të dukshmërisë së pamjaftueshme, të shtunën është ndërprerë lëvizja e objekteve lundruese nëpër Bosfor.

Gjatë natës, shtresa e borës në Stamboll arriti deri 40 centimetra dhe shkaktoi kaos nëpër rrugë.

Në Bullgari, në afërsi të kufirit me Turqinë, janë gjetur trupat e dy emigrantëve ilegalë irakianë, që kanë ngrirë për shkak të temperaturave të ulëta.

Vala e ftohtë kaploi gjithashtu Poloninë, Belgjikën dhe Italinë, ku ka edhe viktima në njerëz.

Numri i përgjithshëm i viktimave në Poloni, të cilët vdiqën nga hipotermia, prej 1 nëntorit është rritur në 53, ndërsa në dy ditët e fundit vdiqën dhjetë persona. Në pjesë të caktuara të vendit temperatura e ajrit ka zbritur deri minus 20 gradë.

Së paku gjashtë persona të pastrehë vdiqën nga të ftohtit në Itali, ndërsa fluturimet janë rikahëzuar, rrugët janë mbyllur, ndërsa komunikacioni hekurudhor është ndërprerë.

Qytetarët e Moskës patën Krishtlindjet më të ftohta në 120 vitet e fundit, me ç’rast gjatë natës janë matur minus 30 gradë. Në Shën-Petërburg janë matur minus 24 gradë, ndërsa policia gjeti trupin e një burri, i cili kishte ngrirë gjatë natës.

Edhe Zvicra është kapluar nga i ftohti polar. Në Davos janë matur minus 19 gradë, ndërsa në Bernë minus 15,5 gradë.

Në Belgjikë humbi jetën një burrë pasi doli nga rruga për shkak të ngricave.

Në dy fshatra të Bavarisë të premten në mbremje temperatura zbriti deri minus 26 gradë, ndërsa në Berlin janë matur minus 15 gradë.



Lajme të ngjashme