Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme për Haradinajn

Kuvendi i Kosovës, edhe pse në kohë pushimi mes dy sesionesh, pritet të mblidhet sot pasdite në seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë në agjendë: “Mbajtja në arrest e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë”.

Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme për Haradinajn

Kuvendi i Kosovës, edhe pse në kohë pushimi mes dy sesionesh, pritet të mblidhet sot pasdite në seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë në agjendë: “Mbajtja në arrest e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë”.

Shqyrtimi i kërkesës për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme, bëhet në mesditë në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare, të ftuar mbrëmë.

Pas një proteste në Prishtinë, marshimi të qetë deri te Ambasada e Francës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dje pasdite njoftonte se grupi parlamentar i saj në nismën për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës kishte mbledhur nënshkrimet e nevojshme, “me kërkesë që kthimi në atdhe i Ramush Haradinajt të konsiderohet detyrë shtetërore, si dhe të pezullohen bisedimet me Serbinë”.

Në 4 janar, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është ndaluar në aeroportin e Baselit, sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 dhe po mbahet në paraburgim në Francë, ndërsa Beogradi ka kërkuar ekstradimin.

Qeveria e Kosovës deklaroi dje se “urdhër arresti për Haradinajn është i motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi” dhe se “do të vazhdojë angazhimin e gjithanshëm që aktakuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare, sa më parë të shpallen të pavlefshme”.

Kuvendi i Kosovës, me miratimin me procedurë të përshpejtuar të Ligjiit për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ndryshuar dhe plotësuar, në seancën e zhvilluar në mbrëmjen e 30 dhjetorit përmbylli sesionin vjeshtor dhe punën e vitit 2016, ndërsa sesioni i ri, pranverori, u paralajmërua të niste në 16 janar të vitit të ri 2017.



Lajme të ngjashme