Ramush Haradinaj ndalohet nga policia franceze, reagojnë autoritetet e Kosovës

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kryeministër i vendit në vitet 2004-2005, është ndaluar të mërkurën nga policia franceze...

644683
Ramush Haradinaj ndalohet nga policia franceze, reagojnë autoritetet e Kosovës

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kryeministër i vendit në vitet 2004-2005, është ndaluar të mërkurën nga policia franceze.

Ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për zonën e Dukagjinit, Haradinaj është ndalur në Francë në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, deklaroi për Agjencinë e lajmeve Anadolli (AA) se lajmi për ndalimin e Ramush Haradinajt është konfirmuar edhe nga familja e tij.

Në një njoftim për media, AAK-ja bën të ditur se Ramush Haradinaj është ndaluar të mërkurën në Aeroportin Basel-Mulhouse-Freiburg, në lindje të Francës, sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

“Një veprim i tillë është krejtësisht i padrejtë dhe i papranueshëm. U bëjmë thirrje autoriteteve franceze që t'i mundësojnë z. Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar dhe kërkojmë nga autoritet e Bashkimit Evropian dhe të shteteve evropiane, veç e veç, që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhërarresteve të paligjshme të Serbisë. Njëkohësisht kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të ndërpresë çdo komunikim me Serbinë derisa ajo të tërheqë urdhërarrestet ndërkombëtare kundër personalieve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Ministria e Drejtësisë së Kosovës bën të ditur gjithashtu përmes një njoftimi se ky dikaster është koordinuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Policinë e Kosovës dhe ambasadorin e Republikës së Kosovës në Francë, ndërkohë që përmes Ministrisë së Jashtme ka dërguar shkresën e nevojshme në Ministrinë e Drejtësisë së Francës me kërkesën për lirimin e menjëhershëm të ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj.

Kryetari i AAK-së ishte ndaluar edhe më parë në Slloveni, në vitin 2015, si pasojë e të njëjtit urdhërarresti, por ishte liruar menjëherë në vijim.

Ramush Haradinaj lindi më 3 korrik 1968 në Gllogjan, afër Deçanit. Ai është një politikan dhe ish-udhëheqës i UÇK-së, ndërkohë që ka mbajtur postin e Kryeministrit të Kosovës prej datës 3 dhjetor 2004 deri më 8 mars 2005.

Në prill të vitit 2000, ai i dha fund karrierës ushtarake dhe themeloi partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryetar i të cilës është ende sot.

Më 8 mars të vitit 2005, Gjykata për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi publikoi aktakuzën ndaj tij për krime lufte dhe, rrjedhimisht, po atë ditë Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit të Kosovës.

Ai u paraqit vullnetarisht në Gjykatën e Hagës, e cila vendosi masën e arrestit me paraburgim.

Pas disa muajve në paraburgim, Haradinaj u lirua përkohësisht deri në fillim të gjykimit të tij. Ai fitoi lirinë e plotë më datë 3 prill 2008 për shkak të mungesës së provave.



Lajme të ngjashme