Maqedoni – KSHZ hedh poshtë edhe ankesën e fundit të LSDM-së për zgjedhjet

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni refuzoi të shtunën ankesën e koalicionit të kryesuar nga LSDM-ja për procedurën për votimin...

Maqedoni – KSHZ hedh poshtë edhe ankesën e fundit të LSDM-së për zgjedhjet

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni (KSHZ) refuzoi të shtunën në mbrëmje vonë, me katër vota pro dhe katër vota kundër, ankesën e koalicionit të kryesuar nga LSDM-ja për procedurën për votimin, përmbledhjen dhe konfirmimin e rezultateve, ku kërkohej anulimi i votimit në qendrën e votimit numër 2011, në komunën e Tearcës, në Njësinë Zgjedhore 6.

Përfaqësuesi i BDI-së në KSHZ, Subhi Jakupi abstenoi.

Për pranimin e ankesës votuan anëtarët e KSHZ-së, Violeta Duma, Igor Milev, Rexhep Prokupica dhe kryetari i KSHZ-së Aleksandar Çiçakovski, ndërsa kundër Silvana Boneva, Sasho Sërcev, Bedredin Ibraimi dhe Aranas Urumov.

Pas votimit, KSHZ kreu kontroll të materialit zgjedhor.

Paraprakisht, KSHZ pranoi vetëm një ankesë nga Lëvizja Besa dhe anuloi votimin në një qendër votimi në Gostivar.

Pasi të dorëzohen vendimet te partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 dhjetor, do të fillojë edhe afati prej 24 orësh për parashtrimin e ankesave në Gjykatën Administrative.

Gjykata, ndërkaq, duhet të vendosë rreth ankesave në afat prej 48 orësh.



Lajme të ngjashme