Ballkani Perëndimor në progres raportin e Komisionit Evropian

Në progres raportin e miratuar më 9 nëntor 2016 nga ana e Komisionit Evropian bëhet e ditur se disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë hedhur hapa të rëndësishme në drejtim të anëtarësimit në BE.

Ballkani Perëndimor në progres raportin e Komisionit Evropian

Në progres raportin e miratuar më 9 nëntor 2016 nga ana e Komisionit Evropian bëhet e ditur se disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë hedhur hapa të rëndësishme në drejtim të anëtarësimit në BE, ndërsa një numër i madh i të tjerëve ende përballen me mangësi strukturore. Në anën tjetër theksohet se gjatë procesit të zgjerimit prioritet do të jenë çështjet si sundimi i ligjit, reforma e administrimit publik, zhvillimi ekonomik dhe i konkurrencës. Ndërkaq bëhet e ditur se skepticizmi evropian që mbretëron brenda BE-së dhe stanjacioni ekonomik pjesërisht ndikojnë negativisht në atraktivitetin e BE-së tek vendet e zgjerimit.                 

Sipas Komisionit Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor bënë përpjekje serioze për modernizimin e kuadrit ligjor të sistemit gjyqësor. Së bashku me këtë, Komisioni tërheq vëmendjen se sistemi gjyqësor në shumicën e vendeve nuk është i pavarur në mënyrë të mjaftueshme. Viteve të fundit në Ballkanin Perëndimor janë forcuar mekanizmat kundër korrupsionit dhe krimeve të organizuara. Ndërsa tani kërkohet që të luftohet kundër organizatave kriminale, gjithashtu ti kushtohet më shumë rëndësi transparencës në prokurimet publike.

Në progres raportin në fjalë tërhiqet vëmendja në zhvillimin e ligjeve penale dhe të luftës kundër terrorit në vendet e Ballkanit Perëndimor, mirëpo theksohet se duhet bërë më shumë përpjekje që nëpërmjet rrugëve të fondeve dhe kontrolleve të huaja të luftohet kundër radikalizmit.

Të drejtat themelore në Ballkanin Perëndimor në masë të madhe vazhdojnë të mbrohen me anë të ligjeve. Megjithatë gjatë zbatimit jetohen disa mangësi, posaçërisht bëhet e ditur për shqetësime në lirinë e shprehjes dhe të shtypit në disa vende. Ndërsa kur bëhet fjalë për funksionalizimin e drejtë të institucioneve demokratike, Komisioni Evropian tërheq vëmendjen në kulturën e bojkotit në parlamente dhe bën thirrje për ti dhënë fund këtij zbatimi.

Sipas Komisionit Evropian progresi në reforma të administrimit publik ndryshon mes vendeve të këtij rajoni. Ndërkaq gjendja ekonomike në Ballkanin Perëndimor është rregulluar pjesërisht me rritje, investime dhe punësim, mirëpo rajoni vazhdon të ballafaqohet me problemet strukturore, ekonomike dhe sociale.

Nëse shikojmë në vendet veçmas mund të shohim se Mali i Zi, i cili filloi negociatat e anëtarësimit në vitin 2012, vazhdon të avancoj në rrugën drejtë anëtarësimit. Ky vend, i cili plotësoi në masë të madhe kornizën ligjore për sundimin e ligjit dhe të infrastrukturës institucionale, do të vazhdojë të avancojë drejt BE-së posaçërisht në fushat e luftës kundër korrupsionit dhe krimeve të organizuara.

Ndërkaq Serbia, e cila i filloi negociatat e saj për anëtarësim në vitin 2014, deri më tani arriti të hapë 4 kapituj për negociata. Shpejtësia e procesit të negociatave e këtij vendi do të vazhdoj të jetë e lidhur me sundimin e ligjit dhe marrëdhëniet me Kosovën. Komisioni Evropian nga Serbia kërkon që njëkohësisht të vazhdoj edhe me reforma ekonomike.

Shqipëria, e cila në vitin 2014 mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ka arritur progres të dukshëm për të filluar me negociatat e anëtarësimit dhe me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në korrik të vitit 2016 e filloi procesin gjithëpërfshirës të reformave të gjyqësorit, gjithashtu vazhdon me reformat e administrimit publik. Duke marr parasysh progreset në këtë drejtim Komisioni Evropian rekomandoi fillimin e negociatave të kushtëzuara me Shqipërinë. Negociatat do të jenë të lidhura me kushtin e progresit në procesin e reformave të gjyqësorit.

Sipas Komisionit Evropian vazhdojnë shqetësimet në lidhje me funksionalizimin e institucioneve demokratike në Maqedonia, e cila mori statusin e vendit kandidat në vitin 2005 dhe që për shkak të problemit të emrit të jetuar me Greqinë ende nuk ka filluar me procesin e negociatave. Komisioni është i gatshëm për të ripërtërirë rekomandimin për fillimin e negociatave me kusht që kriza politike në Maqedoni të tejkalohet me anë të zgjedhjeve dhe disa reforma prioritare.

Ndërkaq ende është në shqyrtim aplikimi i Bosnje-Hercegovinës, që është në statusin e kandidatit potencial, për të marr statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Pritet që Komisioni Evropian deri në fund të këtij viti ti dorëzoi Bosnje-Hercegovinë pyetësorin. Për Bosnje-Hercegovinën vazhdojnë të jenë prioritare çështjet e reformave socio-ekonomike, sundimin e ligjit në të gjitha nivelet e udhëheqjes dhe forcimi i administrimit publik, gjithashtu vënia në jetë e mekanizmit koordinues mes entiteteve në lidhje me negociatat e anëtarësimit në BE.

Ndërkaq kur bëhet fjalë për Kosovën mund të themi se hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe progresi i shënuar në fushën e liberalizimit të vizave është pritur me kënaqësi. Komisioni Evropian nga Kosova pret fillimin me plotëkuptim të fjalës të procesit të reformave posaçërisht në sundimin e ligjit dhe në ekonomi. Për këtë i bëhet thirrje liderëve politik në Prishtinë për të tejkaluar bllokadën politike. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet si një kusht i rëndësishëm edhe për Kosovën.



Lajme të ngjashme