Serbët e Kosovës ndërprejnë komunikimin me KFOR-in

Përfaqësuesit politikë të serbëve nga veriu i Kosovës kanë vendosur të ndërpresin komunikimin dhe bashkëpunimin e mëtejshëm me KFOR-in.

623189
Serbët e Kosovës ndërprejnë komunikimin me KFOR-in

Përfaqësuesit politikë të serbëve nga veriu i Kosovës kanë vendosur të ndërpresin komunikimin dhe bashkëpunimin e mëtejshëm me KFOR-in, sipas tyre, për shkak të qëndrimit të sotëm të kryeministrit kosovar Isa Mustafa në veri të Kosovës.

Në njoftimin e përbashkët të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovica Veriore, Zveçani, Leposaviq dhe Zubin Potok, thuhet se në mënyrë të ashpër dënohet “instrumentalizimi i KFOR-it, që sot kryente rolin e mbrojtësit politik të Isa Mustafës gjatë vizitës së paparalajmëruar në veri të Kosovës dhe ndërpritet komunikimi dhe bashkëpunimi me KFOR-in”.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa qëndroi të premten në veri të Kosovës, ku mori pjesë në ceremoninë dhe lëshimin në qarkullim të urës së re të Bistricës, që lidh komunat Zveçan dhe Lepostaviq në organizim të KFOR-it. Me Kryeministrin në veri të Kosovës qëndruan Ministri Forcës së Sigurisë të Kosovës Haki Demoli dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Skendar Hyseni.

Kryetarët theksojnë se popullit serb në veri të Kosovës nuk mund “me armë t’i imponohet realiteti politik”, dhe shtohet se shumë mashtrohet ai që mendon se me frikësim mund t’i detyrojë serbët të kalojnë përmes njëmendësisë dhe dhunës politike, që sipas tyre ka çuar deri te mospjesëmarrja e përfaqësuesve politikë serbë në institucionet kosovare.

Ndërkohë pas këtij qëndrimi ka reaguar edhe KFOR-i, ku në një njoftim thekson se shpreh keqardhje për mos pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunave të veriore në inaugurimin e urës në Bistricë.

Në njoftim shtohet se ura do të jetë një avantazh i rëndësishëm për zhvillimin e këtyre komuniteteve.

“Urat janë në të vërtetë ndër simbolet më të fuqishme të lidhjes, bashkëpunimit dhe të harmonisë. Ato lidhin njerëzit, hapin rrugët tregtare dhe të sjellin prosperitet dhe tolerance”, thuhet në njoftim nga KFOR-I", theksohet më tej.

Gjithashtu KFOR-i bën të ditur se në pajtim të mandatit të tij do të vazhdojë të punojë për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë.

Serbët e veriut të Kosovës të premten rreth orës 13:00 bllokuan rrugën magjistrale Prishtinë-Leposaviq për të parandaluar zyrtarët kosovarë që të marrin pjesë në lëshimin në qarkullim të urës së Bistricës, por me shoqërim të KFOR-it kaluan në një rrugë tjetër. (AA)



Lajme të ngjashme