Singapori njeh pavarësinë e Kosovës, numri i njohjeve shkon në 113

Kosova ka marrë ditën e enjte njohjen e 113-të nga Singapori dhe janë vendosur marrëdhëniet diplomatike me këtë vend...

Singapori njeh pavarësinë e Kosovës, numri i njohjeve shkon në 113

Kosova është njohur ditën e enjte nga Singapori dhe janë vendosur marrëdhëniet diplomatike me këtë vend.

Në notën verbale, thuhet se “në përgjigje të letrës së ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, të datës 24 qershor 2014, për ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan, Republika e Singaporit njeh Kosovën dhe vendos marrëdhënie diplomatike”.

“Një tjetër lajm i mirë për Kosovën. Singapori është shteti më i ri që e njeh pavarësinë e vendit tonë. Kam takuar e lobuar pa ndërprerë duke vizituar fillimisht këtë shtet në vitin 2013, kam zhvilluar shumë biseda e takuar sërish ministrin e Jashtëm, Vivian Balakrishnan, në Nju-Jork. Tani numërojmë 113 njohje”, ka thënë Hoxhaj.

Singapori është shteti i 4-t i ASEAN-it që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Singapori është i vendosur në Azinë Juglindore dhe ka një popullsi prej 5,7 milionë banorësh. Ai është një nga vendet më të zhvilluara në botë dhe vendi i 3-të në botë në aspektin e PBB-së për banorë.

Në të njëjtën kohë, Singapori ka pranuar pasaportat e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës mund të marrin vizë në misionet diplomatike dhe konsullore të Singaporit apo të aplikojnë online për e-vizë për të hyrë në Singapor që nga sot.

Ministri Hoxhaj do të vizitojë Singaporin në janar 2017 për të thelluar marrëdhëniet politike, ekonomike dhe tregtare me këtë vend.



Lajme të ngjashme