Gjosha: Zhbllokimi i Vettingut do të çelë negociatat e anëtarësimit në BE

“Sa më shpejt të zhbllokohet ky ligj dhe të nisë zbatimi i tij, aq më shpejt do të çelen negociatat për anëtarësim”, deklaroi të martën ministrja e Integrimit të Shqipërisë, Klajda Gjosha, gjatë një vlerësimi të vizitës në Gjermani...

Gjosha: Zhbllokimi i Vettingut do të çelë negociatat e anëtarësimit në BE

Ministrja e Integrimit të Shqipërisë, Klajda Gjosha, e konsideroi “tejet pozitive” vizitën e  të hënës të delegacionit qeveritar shqiptar në Gjermani, ku fokusi kryesor ishte ecuria e procesit të integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë një konference për shtyp, ministrja tha se vizita na faktoi edhe një tjetër herë mbështetjen e qartë të Kancelares Angela Merkel në këtë proces sa historik, aq dhe delikat për gjithë shqiptarët, ku çelja e negociatave për anëtarësim varet nga zbatimi i suksesshëm i ligjit të Vettingut.

“Sa më shpejt të zhbllokohet ky ligj dhe të nisë zbatimi i tij, aq më shpejt do të çelen negociatat për anëtarësim”, u shpreh Gjosha.

“Falënderoj Kancelaren Merkel për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në gjithë këto vite. Vlerësimi, që Merkel i bëri reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe të vlerësuara edhe nga Komisioni, ishte vërtet pozitiv”, nënvizoi ministrja.

Po ashtu, shtoi ajo, me kancelaren ndamë mendimin se për të pasur një proces të qëndrueshëm dhe pa surpriza duhet të fokusohemi tek zbatimi i ligjit të Vettingut dhe tek 5 prioritetet kyçe, për t’i mundësuar Komisionit një raport të ndërmjetëm në funksion të integrimit për datën e hapjes së negociatave.

Sipas saj, kjo do të thotë se gjithçka varet nga ecuria e ligjit të Vettingut.

“Kryetarët e parlamenteve do të shprehen pasi t’ua kërkojnë krerët e qeverive. Kjo do të thotë se as nuk duhet të habitemi dhe as nuk duhet të abuzojmë me komentet e ndryshme të deputetëve të grupeve parlamentare të vendeve anëtare, pasi për ta ky është një proces i natyrshëm demokratik, brenda parlamentit të tyre. Ndërsa ne duhet të fokusohemi tek kjo fazë e procesit. Kemi bëre një hap të rëndësishëm drejt vendimit të dhjetorit dhe kemi një optimizëm të arsyeshëm se gjërat do të zhvillohen pozitivisht”, theksoi Gjosha.

Ministrja pohoi se zgjedhjet e lira e të ndershme janë një kriter që çdo vend duhet të plotësojë.

“Ato janë shumë të rëndësishme, ndaj duhet që reforma zgjedhore të përfundojë sa më shpejt, me konstruktivitet dhe dialog, që të jetë në funksion të gjithë shqiptarëve”, theksoi ajo.



Lajme të ngjashme