Shqipëria dërgon anijen "Oriku" në mision të NATO-s në Egje

U nis në mesditën e djeshme nga Porti i Durrësit anija “Oriku” në operacionin e NATO-s “Sea Guardian” në detin Egje.

Shqipëria dërgon anijen "Oriku" në mision të NATO-s në Egje

Të pranishëm për përcjelljen në mision të anijes ishin Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli, zëvendësshefi i Shtabit, gjeneral brigade Dedë Prenga, komandantët e forcave, ushtarakë dhe familjarë të efektivëve pjesëmarrës në mision.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli në fjalën e saj përshëndetëse ndër të tjera tha se “Pasiguria në rritje në Mesdheun Lindor e Jugor ka sjellë nevojën e një reagimi të përbashkët nga të gjitha vendet e Aleancës sonë.

Ngjarjet që ndodhin në Siri, Irak dhe jo vetëm demonstrojnë rëndësinë që ka NATO për të qenë e mirëpërgatitur dhe e kudogjendur për t’iu përgjigjur çdo krize të mundshme”.

Më tej ajo vijoi duke thënë se “Misioni ushtarak detar në detin Egje, midis dy vendeve tona aleate, Greqisë dhe Turqisë, është dëshmia më e mirë e unitetit dhe gatishmërisë që të gjithë vendet e NATO-s kanë. Dhe ju ushtarakë të anijes “Oriku” po merrni pjesë në një nga angazhimet më të rëndësishme për FA-të tona, që nga nisja e procesit të anëtarësimit në NATO”.

Kodheli theksoi se “prania jonë në detin Egje, në radhë të parë i takon solidaritetit që Shqipëria tregon ndaj fqinjëve dhe aleatëve. Ushtarakët tanë kanë qenë në çdo pikë të nxehtë të globit, por tani problemet janë afruar në kufijtë tanë. Dhe ne duhet të jemi aty”.

Në fund të fjalës së saj Ministrja Kodheli tha se “Pas vitesh të tëra arsimimi, pune dhe sakrifice tani po i drejtoheni misionit tuaj të parë në ujërat ndërkombëtare. Deri dje, dalja jashtë vendit në mision ishte ekskluzivitet i Forcës Tokësore. Dhe ne të gjithë e dimë mirë se vështirësitë në përgatitjen e këtij misioni të sotëm ishin të mëdha. Jeta në anije është nga më të vështirat e më sfiduese. Misioni në det të hapur po aq. Unë ju përgëzoj për çdo gjë që ju keni bërë deri më sot”.

Ekuipazhi i anijes “Oriku” përbëhet nga 21 ushtarakë të FA. Kjo anije do i bashkohet Greqisë dhe Turqisë, të cilët nën komandën e holandezëve do të vijojnë kryerjen e operacioneve NATO. 



Lajme të ngjashme