Kodheli: Kontratë me SHBA-në brenda 10 ditësh për 250 mjete të blinduara

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli, deklaroi të hënën në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se brenda 10 ditësh do të bëjnë një kontratë me SHBA-në për të marrë 250 mjete të blinduara...

Kodheli: Kontratë me SHBA-në brenda 10 ditësh për 250 mjete të blinduara

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli, deklaroi të hënën në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se brenda 10 ditësh do të bëjnë një kontratë me SHBA-në për të marrë 250 mjete të blinduara.

Të parat mjete, sipas saj, pritet të vijnë në muajt janar dhe shkurt të vitit të ardhshëm.

Gjatë diskutimit të shifrave të pr/buxhetit 2017 për strukturat e mbrojtjes, Kodheli tha se ai garanton mbështetje financiare për reformat kyçe në ushtri.

Në mbledhjen e të hënës, ministrja Kodheli u pyet nga kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, për refuzimin nga Presidenti Bujar Nishani të kandidaturës së gjen/major Jeronim Baze për të qendruar dhe për një mandat tjetër në postin e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura.

Ministrja u përgjigj se ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare për këtë çështje. Por, shtoi ajo, përgjigja i shkon kryeministrit që ka bërë dhe propozimin tek kreu i shtetit.

Në komentin e tij, kryetari Braho e vlerësoi "problematik" mosdekretimin e shefit të Shtabit nga ana e presidentit, duke u shprehur se vendi nuk mund të mbetet pa Shef të Forcave të Armatosura. Ai i kërkoi ministres që këtë shqetësim t’ia përcjellë edhe kryeministrit.



Lajme të ngjashme