Rama: Zgjedhjet e ardhshme, të fundit ku diaspora s'do të mund të votojë

Samiti i parë i Diasporës Shqiptare, që po zhvillon punimet në Tiranë, vijoi të shtunën pasdite punimet me një bashkëbisedim të Kryeministrit Edi Rama, me përfaqësues të diasporës pjesëmarrës në këtë takim...

Rama: Zgjedhjet e ardhshme, të fundit ku diaspora s'do të mund të votojë

Samiti i parë i Diasporës Shqiptare, që po zhvillon punimet në Tiranë, vijoi të shtunën pasdite punimet me një bashkëbisedim të Kryeministrit Edi Rama, me përfaqësues të diasporës pjesëmarrës në këtë takim.

I pyetur mbi vijueshmërinë e marrëdhënieve politike midis Shqipërisë dhe Greqisë, Kryeministri Rama u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të një rëndësie të madhe strategjike.

“Ka qenë dhe mbetet një linjë e palëvizshme e politikës tonë të jashtme, partneriteti strategjik me Greqinë, por nga ana tjetër është po aq e vërtetë, që këto marrëdhënie sot kanë nevojë të ngrihen në një tjetër nivel duke kapërcyer problemet që na shfaqen herë pas here si pengesa të mbetura të së shkuarës”, tha shefi i qeverisë shqiptare.

Ne jemi të angazhuar, vijoi ai, që ditën e parë për të adresuar çështjet e mbetura, kemi ngritur një grup të posaçëm dhe kemi ofruar gatishmëri të plotë që së bashku me palën greke, të ulemi në tryezë dhe të diskutojmë hapur me shpirt konstruktiv dhe duke pare nga e ardhmja duke u bazuar në standardet evropiane.

Ai shprehu besimin se do kapërcehen këto pengesa që nuk janë në të mirën e kësaj marrëdhënie fqinjësore dhe strategjike me Greqinë.

I pyetur për shkollimin e fëmijëve emigrantë në gjuhën shqipe, Kryeministri Rama tha: “Do të mbështesim të gjitha nismat e komuniteteve shqiptare që ndodhen në vende të ndryshme të botës, për të mësuar gjuhën shqipe. Tani në platformën e RTSH ka një emision të veçantë që do t’i kushtohet mësimit të gjuhës shqipe, si një mënyrë për të qënë sa më afër me ju, për këtë çështje.”

Kryeministri u shpreh se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të fundit, ku shqiptarët e diasporës nuk do të mund të votojnë.

Gjatë sesionit të pyetjeve nga përfaqësues të diasporës drejtuar Kryeministrit Rama, njëri prej tyre e pyeti se kur do të bëhet realitet që emigrantët të votojnë nga vendi ku ata ndodhen.

“Jemi angazhuar në një program të ri që quhet popullimi dhe që është një program që është në rrugën e zbatimit për të mundësuar popullimin regjistrimin e gjithë shqiptarëve jashtë atdheut. E drejta për të votuar e të gjithë atyre që ndodhen jashtë atdheut, është një nga drejtat më themelore të shkelura në 20 e kusur vitesh. Është një nga qëllimet që ne i kemi vënë vetes të realizojmë”, tha Rama.

Kryeministri vuri ne dukje se vendi nuk ka trashëguar asnjë bazë të dhënash për shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut.

“Nëse ky program do të ecë ashtu siç e kemi parashikuar, zgjedhjet e ardhshme do të jenë afati i fundit kur shqiptarët jashtë atdheut nuk do të kenë mundësi të votojnë në distancë”, deklaroi ai.

Në vijim të bashkëbisedimit me të pranishmit, kreu i qeverisë shqiptare ka folur edhe për bashkimin shqiptar, i cili sipas tij duhet të realizohet në kuadër të kontekstit europian.

“Bashkimin tonë duhet ta shohim si një projekt të realizueshëm në këtë kontekst. Jemi në kushtet që mund të ndërtojmë një hapësirë të përbashkët 100 për qind me Kosovën. Hapësira që na jep projekti evropian është e jashtëzakonshme. Unë jam optimist për të ardhmen e shqiptarëve”, ka thënë Rama.

“Unë jam optimist për të ardhmen e shqiptarëve dhe besoj i bindur se shqiptarëve e ardhmja u ka rezervuar vërtetë një jetë dhe një mënyrë të jetuari së bashku ashtu siç e meritojnë dhe siç u takon fëmijëve tanë”, theksoi më tej shefi i Tiranës zyrtare.

Kryeministri e vlerësoi këtë samit si fillimin e një procesi të komunikimit mes institucioneve dhe komuniteteve të diasporës.

Vetë samiti, u shpreh ai, është një nisëm që duhet të përfaqësohet nga një institucion që të drejtohet nga një bord i diasporës dhe të bashkëpunojë me qeverinë në të mirë të zhvillimit të vendit.

Në lidhje me një pyetje mbi ndryshimet në legjislacionin doganor shqiptar, kryeministri tha se legjislacioni shqiptar për doganat është në përputhje me BE, ndërsa vuri theksin në reformat e rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria përsa i përket arsimit, drejtësisë shëndetësisë etj.

“Kosova dhe Shqipëria pritet të kenë konsullata të përbashkëta në disa shtete të ndryshme të botës”, tha Rama në përgjigje të pyetjes së një shqiptareje që u interesua se kur do të ketë një ambasadë të Shqipërisë në Australi, një vend me numër të vogël emigrantësh shqiptarë.

Ai tha se është bërë një projekt ku janë përzgjedhur disa shtete që në krahasim me vendet e tjera kanë më pak emigrantë shqiptarë, kështu, një konsullatë e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë do t’i jepte atyre zgjidhje për shërbimet e kërkuara.

Në përfundim të bashkëbisedimit që zgjati rreth 2 orë, Kryeministri Rama i bëri apel pjesëmarrësve në Samitin e Diasporës, të kontaktojnë për çdo pyetje, sugjerim apo opinion në web site-in e Diasporës, pasi aty, siç tha Rama, do të merren përgjigjet nga përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme.



Lajme të ngjashme