Samiti i Parë i Diasporës në Tiranë me 800 pjesëmarrës nga 40 vende

Rreth 800 shqiptarë nga 40 vende nga të gjitha kontinentet, janë bërë pjesë e Samitit të Diasporës që mbahet për tre ditë me radhë (18-20 nëntor) në Tiranë.

Samiti i Parë i Diasporës në Tiranë me 800 pjesëmarrës nga 40 vende

Ky samit ka mbledhur shoqata shqiptare, personalitete të shquara dhe anëtarë të thjeshtë bashkëkombës nga të gjitha kontinentet, me synim  krijimin e një ure solide bashkëpunimi, komunikimi e ndërveprimi, në të mirë të ruajtjes dhe forcimit të lidhjeve mes komunitetit shqiptar në botë, si me Shqipërinë, ashtu edhe me vendet ku ata jetojnë.

Me një ceremoni pritëse në Pallatin e Brigadave nga ana e Kryeministrit Edi Rama ka startuar ky event i rëndësishëm.

Në fjalën e tij, Kreu i Ekzekutivit ka shprehur mirënjohjen për pjesëmarrësit, sikurse tha ai, “që keni ardhur e folur rreth e rrotull jush për këtë takim të parë të shtegtarëve të Shqipërisë në vendin amë, për tu parë më sy më sy dhe për t’u dëgjuar, duke këmbyer shqetësime dhe ide për ku jemi e ku duam të vemi sëbashku, të ndarë nga gjeografia, por të bashkuar në truallin e Shqipërisë sonë shpirtërore”.

Shqipërisë së stërgjyshërve tanë dhe të fëmijëve që do të bëjnë fëmijë, këtu apo anembanë një bote, tha Rama, e cila sot na jep mundësinë fantastike të komunikimit e të ndërveprimit në rrjete të pafundme dixhitale që e zerojnë distancën fizike nga mëmëdheu, kur është fjala për t’i çuar njëri-tjetrit fjalë, projekte e plane pune.

Ai tha se “mbledhja juaj në këtë Pallat është po aq sa e  paimagjinueshme në sytë e të shkuarës aq edhe frymëzuese në sytë e të ardhmes. Keni ardhur për të qenë për 3 ditë bashkë me ne për të diskutuar e  vendosur se si mund ta bashkojmë fuqinë tonë për të bërë më të mirë e më të begatë Shqipërinë e së ardhmes”.

Dhe duke u afruar më shumë me diasporën dhe duke bërë më shumë për diasporën, tha ndër të tjera Kryeministri, Shqipëria dhe Kosova mund të bëhen trualli ku eksperiencat fantastike të diasporës të lulëzojnë edhe në dy shtëpitë tona, me liri dhe me dituri. “Pa diasporën Shqipëria është më e cunguar se një territor i copëtuar në mijëra pjesë , në secilin prej jush ne jemi tërë një bashkësi e papërmbushur e paplotë e pazhvillueshme në potencialin e saj”, shtoi Rama.

Kreu i qeverisë i kërkoi diasporës shqiptare të kontribuojë për zhvillimin e Shqipërisë. “Diaspora shqiptare është në fakt një shkollë e vërtetë jete për ne që jemi këtu dhe ashtu sikundër ata që ju keni gjetur atje ju janë gjendur e marrë për dore ashtu edhe diaspora duhet të të marrë Shqipërinë për ta ndihmuar që të hedhi hapa të tjerë drejt suksesit”, tha Rama.Mbase ne, u shpreh Rama, praktikisht nuk kemi asgjë për tu mësuar ju, por shtoi ai, e kemi organizuar këtë samit, sepse jemi të vetëdijshëm se kemi shumë për të mësuar nga ju.

Rama tha se ende sot nuk kemi trashëguar asnjë statistikë se ku janë e çfarë bëjnë e në cilat fusha operojnë shqiptarët. Por, vijoi ai, faktikisht është koha dhe ne kemi nisur ta bëjmë, që të regjistrojmë çdo frymë njeriu që flet shqip në çdo cep të kontinentit tonë dhe kjo është edhe baza për t’i dhënë të gjithë atyre që jetojnë jashtë vendit, të drejtën që të marrin pjesë në procesin demokratik, duke votuar pa qenë nevoja të vijnë dhe të paraqiten në qendrën e votimit këtu.

I ftuar në këtë event të rëndësishëm, Presidenti i Kosovës  Hashim Thaçi tha se kemi obligim si shtete që të kontribuojmë për ruajtjen e identitetit të diasporës.

Duke vënë në dukje se diaspora ka nevojë për riorganizim, Thaçi nënvizoi se pa të, nuk do kishim të drejta të barabarta në Maqedoni. Sipas tij, diaspora është edhe burim i stabilitetit ekonomik.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit kosovar, uroi dhe shprehu besimin që vitin e ardhshëm, në bashkëpunim mes dy qeverive, kosovare dhe shqiptare, samiti i ardhshëm i Diasporës të mbahet në Prishtinë.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në çelje të pritjes tha se sot nis një kapitull i ri midis Shqipërisë e shqiptarëve. “Kemi fshirë distancat që na ndajnë nga njëri tjetri”, tha ai.

Bushati tha se roli i shqiptarëve në diasporë në SHBA e Europë, ka qenë i pazëvendësueshëm. Ju , tha ai, përfaqësoni sot zërin e më shumë se 1.5 milionë shqiptarëve.

Anëtari i Asamblesë së Nju Jorkut Mark Gjonaj  kërkoi nga qeveria bashkëpunim me diasporën shqiptare dhe  se duhet të krijohet një axhende e kombëtare.

“Si diaspora edhe qeveria kanë një rol aktiv. Roli i qeverisë është që të na ruajë identitetin tonë. Roli i diasporës është që ne të jemi gjithmonë gati për ti shërbyer vendit.Le të vendosim një axhende kombëtare, që ta kenë zili të gjithë, një axhende që ti shërbeje brezave”, tha ai.

Samiti i Diasporës është një nismë e kryeministrit të vendit, Edi Rama për të vendosur ura të qëndrueshme bashkëpunimi me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Si një vend me emigracion të zhvilluar prej më shumë se një shekulli, Shqipëria ka një diasporë të gjerë në Europë dhe SHBA. Në radhët e diasporës, përveç intelektualëve, ka edhe shembuj të shumtë të sipërmarrësve të suksesshëm jashtë vendi.

Ura kryesore ekonomike që ka lidhur Shqipërinë me diasporën kanë qenë dërgesat, që ende sot janë një burim i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Remitancat janë të lidhura kryesisht me emigracionin e pas viteve ‘90. Nga një rekord prej 952 milionë eurosh në vitin 2007, remitancat vitin e kaluar ishin 598 milionë euro.



Lajme të ngjashme