Edi Rama-Li Keqiang në Riga: Rritje e bashkëpunimit të gjithanshëm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, merr pjesë sot në Samitin mes Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që zhvillohet në Riga të Letonisë...

Edi Rama-Li Keqiang në Riga: Rritje e bashkëpunimit të gjithanshëm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, merr pjesë sot në Samitin mes Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që zhvillohet në Riga të Letonisë.

Nisma 16+1 synon të thellojë dhe zgjerojë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrësve, 11 prej të cilave janë vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Energjia, infrastruktura, transporti, teknologjia, bujqësia, zonat ekonomike, shëndetësia, mjedisi, arsimi, kultura, financa dhe qeverisja lokale janë 12 drejtimet ku synohet rritja e bashkëpunimit.

Në takimin e zhvilluar me Kryeministrin e Kinës, Li Keqiang, kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, që shërbejnë si bazë për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar.

Kryeministri Rama e falënderoi homologun Keqiang për inkurajimin, që jep qeveria kineze ndaj kompanive shtetërore e private për të investuar në Shqipëri, ku shembujt më të fundit janë kompania China Everbright, që ka blerë TIA-n, menaxhuese e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, si dhe kompania Geo-Jade Petrolium Corporation, që ka marrë në pronësi Bankers Petrolium.

Li Keqiang falënderoi Kryeministrin Rama për bashkëpunimin dhe e siguroi atë se mbështetja e qeverisë kineze ndaj kompanive, që investojnë në Shqipëri, do të vazhdojë edhe në fusha të tjera, si energjia dhe infrastruktura.

Kina renditet sot si partneri i dytë tregtar më i madh i Shqipërisë me 7,7% të vëllimit të përgjithshëm tregtar.



Lajme të ngjashme