Tahiri: Njohja, kushti kryesor për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Ministrja për Dialog e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, në raportimin para komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës theksoi se pa njohjen e shtetit të Kosovës nuk ka raporte me Serbinë.

Tahiri: Njohja, kushti kryesor për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Duke vlerësuar se marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë kanë mundësi të realizohen, ministrja për Dialog e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri tërhoqi vërejtjen se kushti kryesor për realizimin e plotë të këtyre marrëdhënieve është njohja e shtetit të Kosovës.

Sipas Tahirit, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Brukselit, ka dhënë rezultate historike, duke përmendur kështu marrëveshjet e arritura mes dy shteteve.

Ministrja Tahiri duke vlerësuar rolin e dialogut në Bruksel, u shpreh se përmes tij, është ndihmuar forcimi i sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun.

“Këto bisedime kanë ndihmuar edhe në normalizimin e marrëdhënieve duke mundësuar zhbërjen e strukturave paralele në fushën e sigurisë etj. Po ashtu kemi shuar strukturat e drejtësisë dhe po e shtrijmë sistemin unik të drejtësisë edhe në katër komunat veriore”, tha Tahiri.

Ajo u shpreh e bindur se shumë shpejt do të bëhet vendosja e disa institucioneve qendrore me veprimtari lokale në veri, që bëhet fjalë për 23 ministri dhe hapja e zyrave për lëshimin e dokumenteve të Kosovës në veri.

Tahiri tha se gjendja e sigurisë në veri është përmirësuar dhe këtë sipas saj e tregojnë shifrat e ulëta të incidenteve të kohëve të fundit.

Ministrja për Dialog theksoi  se është duke ndryshuar mendësia e qytetarëve serbë për të pranuar shtetin e Kosovës, dhe për këtë sipas saj dëshmohet përmes kërkesave të shumta të serbëve për t’u pajisur me dokumente të Kosovës.
Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Tahiri tha se pa shuarjen e strukturave paralele nuk do të ketë marrëveshje, pasi që kjo marrëveshje bazohet në ligjet e Kosovës.

Tahiri tha se në fazën e tretë të dialogut që do të jetë faza përfundimtare, do të trajtohen çështje si Demarkacioni, të pagjeturit, njohja e Kosovës si dhe çështje të tjera.



Lajme të ngjashme