Prishtinë-Seminari i ROSE-ROTH i Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nisi sot punimet treditore Seminari i 93-të ROSE-ROTH i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ku marrin pjesë më shumë se 100 pjesëmarrës, përfshirë gati 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.

Prishtinë-Seminari i ROSE-ROTH i Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti tha se organizimi i mbledhjes në Prishtinë, u përcjell të gjitha vendeve të rajonit se stabiliteti në Kosovë nuk është vetëm i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm për sigurinë në rajon dhe me gjerë.

Perspektiva e Kosovës në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe në rolin evolues të NATO-s në rajon, do të diskutohet në Seminarin në Prishtinë që pason Samitin e Aleatëve, të krerëve të shteteve dhe të qeverive, të mbajtur në muajin korrik, në Varshavë.

Ligjvënësit e NATO-s do t’i shqyrtojnë zhvillimet politike, socio-ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, perspektivat për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik rajonal, si dhe reagimin e Ballkanit Perëndimor ndaj sfidave që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe menaxhimi i fluksit të migrimit nëpër Evropë.

Seminari është organizuar në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Xhavit Haliti, dhe me përkrahjen e qeverisë zvicerane.

Qëllimi kryesor i Seminareve Rose-Roth është që ta lehtësojë dialogun, që lidhet me çështjet e sigurisë rajonale, në mesin e ligjvënësve të NATO-s dhe vendeve partnere.

Kuvendi i Republikës së Kosovës merr pjesë në sesionet e Asamblesë Parlamentare të NATO-së në statusin e vëzhguesit, të fituar që nga qershori i vitit 2014.



Lajme të ngjashme