Maqedoni – Zgjedhje korrekte dhe të drejta, parakusht i agjendës evropiane

Mbajtja e zgjedhjeve korrekte dhe të drejta në Maqedoni ka qenë temë qendrore e takimit Steinmeier-Poposki në Berlin, si parakusht për vazhdimin e axhendës euroatlantike të vendit.

Maqedoni – Zgjedhje korrekte dhe të drejta, parakusht i agjendës evropiane

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki realizoi të enjten në Berlin një takim me shefin e diplomacisë gjermane, Frank-Walter Steinmeier.

Siç thuhet në njoftimin e kabinetit të Poposkit, temë qendrore e takimit ka qenë mbajtja e zgjedhjeve korrekte dhe të drejta në Maqedoni, të cilat janë paraqitur si parakusht për vazhdimin e agjendës euroatlantike të vendit.

Sipas Poposkit është e rëndësishme që procesi zgjedhor të jetë i cilësisë më të lartë sepse nga kjo do të përcaktohet baza për intensifikimin e axhendës euroatlantike të Republikës së Maqedonisë.

"Pas takimeve morëm garanci nga Gjermania se të gjithë sytë do të drejtohen nga ndjekja e procesit zgjedhor në Maqedoni. Ka sinjale të mira në këto takime se edhe ODIHR jep përkrahjen për zbatimin e masës për mbikëqyrje të thellë të procesit zgjedhor në Maqedoni. Ndërkohë ne punojmë për të siguruar numrin sa më të madh të misioneve monitoruese të cilat do të vulosin faktin se Maqedonia ka kapacitete për të zbatuar zgjedhje të suksesshme, të drejta dhe demokratike", ka thënë Poposki.

Vizita kryediplomatit të Maqedonisë në Gjermani ishte me ftesë të homologut Steinmeier, në kuadër të Konferencës mbi tolerancën dhe diversitetin, organizuar të enjten nga kryesimi i radhës gjerman me OSBE-në. 



Lajme të ngjashme