Fier - Bëhet inaugurimi i fillimit të punimeve të shtrirjes së tubacioneve të TAP

Kryeministri Edi Rama, në inaugurimin e fillimit të punimeve për shtrirjen e tubacioneve të gazsjellësit TAP në Fier, deklaroi se ky projekt është prova që ne po ndërtojmë një shtet që funksionon.

Fier - Bëhet inaugurimi i fillimit të punimeve të shtrirjes së tubacioneve të TAP

Kryeministri Edi Rama, në inaugurimin e fillimit të punimeve për shtrirjen e tubacioneve të gazsjellësit TAP në Fier, deklaroi se ky projekt është prova që ne po ndërtojmë një shtet që funksionon.

“Pavarësisht nga çfarë thuhet, gatuhet e përzihet dhe çfarë i ofrohet publikut nga kazani i mediave, lidhur me funksionimin e shtetit, ajo që unë kam dëgjuar nga zyrtarët e TAP, është se nëse para fillimit të punës për projektin, kishte pikëpyetje se sa efecientë do të ishte pala shqiptare për të organizuar këto ndërveprime. Por, sot Shqipëria përbën një partner model për mënyrën se si po bashkëpunon, si koordinon dhe se si e garanton vijueshmërinë normale të projektit, për të cilin nuk ka pasur asnjë moment ngecje për shkak të burokracive. Ky projekt, theksoi Rama, përveç tubave dhe gazit dhe përmirësimit të infrastrukturës e mjedisit, sjell edhe dije për njerëzit tanë, pasi kualifikon krahun e punës dhe bën që përfitueshmëria të jetë shumëdimensionale”, nënvizoi kreu i qeverisë shqiptare.

Duke shprehur kënaqësinë për vlerën e shtuar që gazsjellësi i sjell Shqipërisë, në kuadër të përpjekjeve të Bashkimit Evropian për të diversifikuar burimet e energjisë dhe garantuar furnizimin nga rajonet e qëndrueshme, Rama tha se ne jemi me fat që vendi ynë është pjesë aktive në një rajon politikisht të qëndrueshëm, ku në përmasën tonë ne bëjmë gjithçka për të promovuar pikërisht qëndrueshmërinë politike dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme ekonomike të rajonit.

Ky gazsjellës, vijoi kryeministri, sjell për ne avantazhe të panumërta. Që në dy vitet e para të punimeve, ne kemi mundur të konstatojmë këto avantazhe. TAP-i ka rehabilituar afro 100 km rrugë në Korçë, Çorovodë e Fier. Ka ndërtuar dy ura, u ka dhënë punë 1700 personave, 90% e të cilëve janë shqiptarë, me një pagë mesatare prej 600 euro. Gjithashtu, është rritur numri i përfituesve nga shpronësimet në vendet ku kalon gazsjellësi, informoi ai.

Numri i të punësuarve do të rritet me mbi 4200 persona, ndërsa projekti do ta rrisë me 160 milionë euro në vit prodhimin e brendshëm kombëtar. Sipas Ramës, ekonomia shqiptare në vitet e ardhshme parashikohet të përfitojë mbi 1 miliard euro nga gazsjellësi TAP. Kryeministri u shpreh i vendosur që vendi të maksimizojë përfitimet nga ky projekt.

Ndërsa, ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, shprehu vlerësimin për bashkëpunimin me TAP-in. Kjo tha ai edhe për faktin se shumë kompani shqiptare janë pjesë e këtij projekti. “Kjo ka sjellë përfitime direkte edhe për shumë ekonomi familjare. Shpresoj që të sjellë të mira për rajonin. Siguria e rajonit i vlen edhe sigurisë evropiane”, tha ai.

Sakaq, ministri informoi se kanë përfunduar 92% e punimeve për rrugët ndihmëse dhe urat. “56% e tubave janë dorëzuar, ndërsa pjesa tjetër po mbërrin në Portin e Durrësit. Janë pastruar 23 kilometra korridore kalimi dhe 12 kilometra tuba janë lidhur”, informoi ai.

Paralelisht, vijoi Gjiknuri, qeveria është e angazhuar plotësisht për të maksimalizuar përfitimet e shtetit shqiptar nga ky projekt i rëndësishëm që e ndryshon thelbësisht hartën energjetike të vendit.



Lajme të ngjashme