Avramopulos: Së shpejti liberalizimi i vizave për Kosovën

Ministri i PJ i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar në Strasburg, Komisionerin për Migracion dhe Punë të Brendshme të BE-së, Dhimitris Avramopulos, me të cilin ka diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Avramopulos: Së shpejti liberalizimi i vizave për Kosovën

Në takim me Avramopulos, i cili është njëri prej mbështetësve kryesor të Kosovës në BE për heqjen e vizave, Hoxhaj e ka njoftuar me zhvillimet e brendshme dhe zotimin e qeverisë së Kosovës për t’i përmbushur obligimet e saj.

“Në takimin që kisha me Komisionerin Avramopulos dhe me shumë deputetë të tjerë të Parlamentit Evropian, kemi marrë një zotim të madh dhe të plotë se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza drejt Evropës në momentin kur i plotësojmë kriteret e fundit që kanë mbetur pa u plotësuar”, ka thënë Hoxhaj.

Nga ana e tij, Avramopulos ka deklaruar se “Jam shumë i lumtur që e takoj sërish një mik të vjetër dhe të mirë, Enver Hoxhaj, ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës. Ne zhvilluam një diskutim shumë të mirë, si gjithnjë. Edhe njëherë ritheksuam vullnetin tonë për të lëvizur përpara. E dini që në këto muajt e fundit, së bashku, qeveria e Kosovës dhe Komisioni kanë punuar për t’i tejkaluar pengesat e fundit në mënyrë që të arrijmë atë moment ku qytetarët e Kosovës t’i gëzojnë të drejtat dhe t’i gjejnë dyert e hapura për të lëvizur pa viza në Evropë. Ashtu siç e kam theksuar gjatë vizitës sime të fundit në Prishtinë, ne jemi në kilometrin e fundit. Ju siguroj që ky kilometër nuk do të zgjasë edhe më”.

Në ditën e parë të vizitës në Bruksel, Hoxhaj ka takuar Komisionierin Hahn, Shefen për Politikë të Jashtme, Mogherini dhe ka zhvilluar takime në NATO.



Lajme të ngjashme