Shqipëri – Sokol Dervishaj, ministër i ri i Transportit dhe Infrastrukturës

Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten me 73 vota pro dekretin e Presidentit, që emëron Sokol Dervishaj në postin e ministrit të ri të Transportit dhe Infrastrukturës. Dervishaj zëvendëson në këtë post Edmond Haxhinaston...

Shqipëri – Sokol Dervishaj, ministër i ri i Transportit dhe Infrastrukturës

Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten me 73 vota pro dekretin e Presidentit, që emëron Sokol Dervishaj në postin e ministrit të ri të Transportit dhe Infrastrukturës. Dervishaj zëvendëson në këtë post Edmond Haxhinaston.

Para marrjes së kësaj detyre ai ka qenë sekretar i përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë.

Edmond Haxhinasto dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës më datë 2 shtator, nga ku, siç tha ai, largohet për t’u fokusuar më shumë në strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI).

Kush është Sokol Dervishaj?

Sokol Dervishaj është anëtar themelues dhe anëtar i Kryesisë i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ka ushtruar detyrën e zv/ministrit të Punëve të Jashtme, zv/ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, si dhe ka qenë i zgjedhur Kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, master në Studime Ndërkombëtare në “King’s College” (Londër), Studime Strategjike në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes (Londër), ka ndjekur Kursin e Nivelit të Lartë në Kolegjin Mbretëror të Shkencave Ushtarake (Britani e Madhe), Politika Publike në Shkollën e Qeverisjes të Universitetit të Harvardit.

Ka ndjekur Programin e Marrëdhënieve Transatlantike të “German Marshall Fund” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Programin e Lidershipit të Vizitorit Ndërkombëtar të Departamentit amerikan të Shtetit.

Akti Normativ miratohet me 72 vota

Në seancën plenare u votua edhe Akti Normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2016. Kuvendi miratoi me 72 vota pro edhe marrëveshjen, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë të përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe qeverisë së Republikës Italiane të përfaqësuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, për realizimin e programit për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe projektimit në nivel përfundimtar, si dhe studimin e impaktit mjedisor në sektorin e infrastrukturave”.

Me 73 vota pro u miratua edhe konventa “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Evropiane të Peizazheve”.



Lajme të ngjashme